Greqia në alarm për krizën në Lindjen e Mesme, mbledhje urgjente në Athinë për planin antibalistik dhe përgatitjet ndaj çdo kërcënimi

18/06/2025 20:43

Ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dhendias ka thirrur pasditen e së mërkurës një mbledhje të jashtëzakonshme në sallën e Këshillit të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm me qëllim vlerësimin e situatës së krijuar nga kriza në Lindjen e Mesme dhe përgatitjen e një plani për mbrojtjen antibalistike të vendit.

Në mbledhje morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Shefat e Forcave të Armatosura, si dhe oficerë të lartë. Mbledhja zgjati mbi një orë dhe u vendos që të përditësohej plani i mbrojtjes ajrore. Burime ushtarake theksojnë se takimi u mbajt për arsye paraprake pasi përgatitja konsiderohet e nevojshme në mënyrë që vendi të jetë gati për të zmbrapsur çdo rrezik që mund të lindë duke pasur parasysh situatën.

Burime kompetente sqarojnë se mbledhja kishte si qëllim përgatitjen e vendit për të gjitha eventualitetet, veçanërisht nëse SHBA-të përfshihen në mënyrë aktive në konfliktin Izrael-Iran.

Më herët kryeministri Kyriakos Mitsotakis, duke folur në një konferencë për FT, ka vënë në dukje se Greqia nuk do të marrë pjesë në asnjë operacion ushtarak, ndërsa ka nënvizuar se “në historinë e Lindjes së Mesme ka pasur disa “fantazi” se mund të zgjidhen problemet me operacione ushtarake, por që nuk shkuan mirë”.

Mitsotakis në ndërhyrjen e tij mbi luftën në Lindjen e Mesme deklaroi: “Jemi të shqetësuar për perspektivën e përshkallëzimit të konfliktit. Ne këmbëngulim që Irani nuk mund të sigurojë armë bërthamore dhe se çdo zgjidhje mund të gjendet përmes kanaleve diplomatike. BE-ja nuk ka asnjë levë ndikimi, vetëm SHBA munden dhe Presidenti Trump duhet të vendosë. Shpresojmë që të mos ketë përshkallëzim që do të sjellë pasoja negative ekonomike, siç është rritja e inflacionit ose çrregullimi i tregjeve të energjisë”.

Athina sheh me shqetësim edhe impaktin negative që mund të ketë konflikti I ri në  tregti dhe sektorët e transportit detar, një nga shtyllat më produktive të ekonomisë greke brenda dhe jastë vendit.

Top Channel