Gjermania “jo më Toka e Premtuar”! Një në katër emigrantë kërkon të largohet

18/06/2025 14:46

Një studim i ri ka evidentuar një fenomen befasues: Gjermania duket se nuk është më vendi i shume-lakmuar nga emigrantët, të cilët kanë nisur të largohen prej andej.

Studimi hedh një vështrim mbi arsyet e një fakti të tillë, duke nisur nga joshja më e madhe ekonomike që përbëjnë vende të tjera e deri tek diskriminimi, të cilit i nënshtrohen të huajt.

Ekonomia gjermane po dobësohet – megjithatë, punëtorët e kualifikuar janë të nevojshëm urgjentisht në shumë sektorë: në profesionet mjekësore, veçanërisht në infermieri, në IT, ndërtim dhe në zanate të kualifikuara. Gjithashtu, ka mungesë të edukatoreve të kopshteve, kuzhinierëve dhe njerëzve që mund të drejtojnë kamionë dhe autobusë, pra shoferëve profesionistë. Në fund të vitit 2024, kishte rreth 1.4 milion vende pune të paplotësuara në kompanitë gjermane në të gjithë vendin. Pavarësisht kësaj, ekspertët thonë se një në katër emigrantë do që të largohet.

Studimi bazohet në një anketë online me 50.000 persona të moshës 18 deri në 65 vjeç, të cilët kanë lindur jashtë vendit dhe kanë emigruar në Gjermani.

26 për qind, ose rreth 2.6 milion njerëz, thonë se e kane menduar largimin“, ishte rezultati i hulumtimit, sipas të cilit, rreth tre për qind, ose 300,000 njerëz, tashmë kanë plane konkrete për të emigruar”.

Rreth gjysma e atyre që nuk duan të qëndrojnë duan të kthehen në vendet e tyre përkatëse të origjinës, gjysma tjetër dëshiron të shkojë në një vend tjetër, ku mendojnë se ka kushte më të mira. Vendet më të preferuara tani prej tyre rezultojnë Zvicra, SHBA-ja ose Spanja.

Top Channel