
Delegacioni i Juventus, i udhëhequr nga Presidenti i Stellantis dhe CEO i Exor, John Elkann, së bashku me trajnerin Igor Tudor, presidentin e FIFA-s Gianni Infantino, dhe disa lojtarë të ekipit, u prit këtë pasdite në Zyrën Ovale nga Presidenti amerikan, Donald Trump.
Momentet e takimit janë dokumentuar zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, ku Trump është parë duke u përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve për tensionet në Lindjen e Mesme midis Iranit dhe Izraelit.
Bianconerët janë në Uashington në prag të debutimit të tyre në Kupën e Botës për Klube, ku mbrëmë luajnë ndeshjen e parë të Grupit kundër ekipit nga Emiratet e Bashkuara, Al-Ain.
Kjo vizitë në Shtëpinë e Bardhë vjen si një shenjë e vëmendjes së veçantë ndaj Juventus në arenën ndërkombëtare dhe shërben si një moment simbolik edhe për lidhjet mes futbollit dhe diplomacisë sportive.
Teksa kishte në zyrë futbollistët e Juventusit, Donald Trump foli edhe për luftën Izrael- Iran. Ai tha se beson që Irani ishte “disa javë larg” nga pasja e një arme bërthamore, duke përshkruar një skenar apokaliptik nëse kjo do të ndodhte.
“Kam thënë prej 20 vitesh, ndoshta edhe më gjatë, që Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. E kam thënë për një kohë të gjatë, dhe mendoj se ata ishin disa javë larg nga ta pasur një të tillë,” tha ai.
“Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, është shumë shkatërruese. Dhe ata do ta përdornin,” shtoi ai. “E dini, unë besoj se ata do ta përdornin. Të tjerët nuk do ta përdornin, por unë besoj se ata do ta përdornin. Kaq është. Është shumë e thjeshtë.”
Këto komente vijnë ndërsa administrata ka dërguar sinjale të përziera mbi inteligjencën që ka lidhur me përparimin bërthamor të Iranit.
Pretendimi i Trump bie ndesh me gjetjet e komunitetit të inteligjencës: Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dëshmoi në mars se komuniteti amerikan i inteligjencës “vazhdon të vlerësojë se Irani nuk po ndërton një armë bërthamore dhe se Udhëheqësi Suprem Khamenei nuk ka autorizuar një program armësh bërthamore që e pezulloi në vitin 2003.”
CNN raportoi më herët këtë javë se vlerësimet e inteligjencës amerikane kishin treguar se Irani nuk ishte duke ndjekur në mënyrë aktive zhvillimin e një arme bërthamore, dhe më tej, ishte deri në tre vjet larg nga mundësia për ta prodhuar dhe dorëzuar një të tillë në një objektiv të zgjedhur prej tij, sipas katër personave të njohur me vlerësimin.
Top Channel