
Debati i politikës shqiptare u zhvendos këtë të mërkurë në Strasburg, në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, ku në fokus ishte procesi i integrimit evropian, por që mazhoranca dhe opozita debatuan sërish për zgjedhjet e 11 Majit.
Në emër të qeverisë, ministri i Shtetit, Taulant Balla, tha se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, ndërsa i cilësoi historike zgjedhjet e 11 Majit.
“Qytetarët tanë bënë një zgjedhje të qartë, për të vazhduar rrugën e reformave dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE. Këto zgjedhje ishin historike, jo vetëm për shkak të rezultatit të tyre, por edhe për shkak të mundësimit për herë të parë të votimit nga jashtë vendit”.
Por, për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, më 11 Maj nuk u parandaluan krimet zgjedhore.
“Nuk pati asnjë rezultat konkret për parandalimin e krimeve zgjedhore. Mund të ketë çështje nën hetim dhe procedime në zhvillim, por nëse rezultatet e këtyre hetimeve i marrim në vitin 2030, ato nuk ndihmojnë aspak në ndëshkimin real të krimeve zgjedhore”.
Ministri Balla debatoi dhe me deputeten e zgjedhur demokrate, Jorida Tabaku, për Reformën Zgjedhore.
“Ritheksojmë nevojën për të filluar në shtator dhe vijuar me reformën elektorale. Në reformën tjetër duhet të kemi dispozita në kodin elektoral për mënyrën se si zgjidhen anëtarët e Parlamentit Europian”, u shpreh Balla.
“Më vjen keq të them që për 12 vitet e fundit parlamenti nuk ka qenë në gjendje të bëjë një reformë të plotë elektorale dhe ka të bëjë me vullnetin politik”, tha Tabaku.
Për përfaqësuesit ndërkombëtarë në Komisionin e Stabilizim-Asociimit, Shqipëria është pararojë në procesin e integrimit evropian.
“Kemi 4 grupkapituj të hapur dhe jemi në prag të të pestit, jemi në një moment të paprecedent jo vetëm nga pala e Shqipërisë, por edhe nga BE. Afatet janë ambicioze, por të arritshme me punë dhe vullnet nga të gjitha palët. Ecuria për sundimin e ligjit ka qenë kyçe për ta bërë këtë gjë e në veçanti, është vijimësia e reformës në drejtësi, si dhe rezultatet e mira të SPAK”, u shpreh Sigrid Brettel.
“Mbështesim ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027. Roli i SPAK dhe pavarësia e tij në gjykimin e çështjeve të nivelit të lartë është shumë e rëndësishme”, tha Suzana Melkalkova.
Top Channel