
Një moment i veçantë simbolik ndodhi gjatë samitit të Grupit të Shtatë (G7) këtë javë, kur presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i dorëzoi presidentit amerikan Donald Trump një fanellë të Portugalisë të firmosur nga vetë Cristiano Ronaldo.
Takimi privat mes dy liderëve u zhvillua të hënën, në Kananaskis të Albertës, ku Costa, ish-kryeministër i Portugalisë dhe aktualisht në krye të Këshillit Europian që nga viti 2024, mbërriti për të përfaqësuar BE-në në samit.
Fanella me numrin 7 dhe emrin e Ronaldos mbante një dedikim të shkruar me dorë: “Për Presidentin Donald J. Trump! Luajmë për paqe”.
Costa e lexoi me zë të lartë mesazhin përpara se t’ia dorëzonte dhuratën Trump-it, i cili u shfaq i kënaqur me gjestin, duke thënë: “Më pëlqen. Luajmë për paqe”.
View this post on Instagram
Cristiano Ronaldo, 40 vjeç, është një nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit dhe një nga figurat më të njohura të sportit në botë.
Së fundmi, ai udhëhoqi Portugalinë drejt fitores në Ligën e Kombeve të UEFA-s dhe pritet të jetë pjesë e skuadrës që do të përfaqësojë vendin në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet pikërisht në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Fanella e dhuruar nga Costa u interpretua si një gjest i diplomacisë sportive, duke sjellë një mesazh uniteti dhe paqeje në një samit ku marrëdhëniet ndërkombëtare kanë qenë të tendosura – sidomos mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të BE-së.
Ky veprim vjen në një moment kur sporti, dhe veçanërisht futbolli, po përdoret gjithnjë e më shumë si mjet komunikimi dhe simbolike në arenën politike globale.
Top Channel