Një i vdekur dhe 16 të plagosur në sulmin rus në Kiev, mes tyre një shtetas amerikan

17/06/2025 08:36

Një sulm ajror rus goditi disa pjesë të Kievit gjatë natës së së hënës, duke vrarë të paktën një qytetar amerikan dhe duke plagosur 16 të tjerë, tha në Telegram kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko.

“Në lagjen Solomiansky, një qytetar amerikan 62-vjeçar u vra në një shtëpi përballë një vendi ku ndihmësit mjekësorë po trajtonin të plagosurit”, tha Klitschko pak para orës 3:00 të mëngjesit (GMT).

Pak më parë, ai foli për “16 të plagosur në kryeqytet”, shumica e tyre “në distriktin Solomiansky”, si dhe “dy në distriktin Darnytsky dhe një në distriktin Dnipro”.

Përpara se të jepte këtë vlerësim, ai paralajmëroi se “mjetet ajrore pa pilot armiqësore ende po shkojnë drejt qytetit nga tre drejtime”, se ekzistonte një “kërcënim për sulme me raketa” dhe u bëri thirrje qytetarëve të “mos dalin nga strehimoret”. Kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, Timur Tkachenko, foli për pjesën e tij të një “sulmi të kombinuar” me “raketa dhe dronë” që shkaktoi “zjarre në shumë zona” të kryeqytetit ukrainas.

Kreu i zyrës së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, denoncoi nëpërmjet Telegram sulmet e reja ruse kundër “ndërtesave të banimit” në Kiev, duke theksuar se “Rusia vazhdon luftën e saj kundër civilëve”.

Bisedimet e fundit të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës duket se kanë arritur në një bllokim, pasi secila palë këmbëngul në qëndrimet e tyre shumë të ndryshme.

Moska hedh poshtë mundësinë e një armëpushimi “pa kushte” të kërkuar nga Ukraina dhe udhëheqësit evropianë, ndërsa Kievi i përshkruan kërkesat ruse si “ultimatume”.

Dje, Zelensky tha se donte të diskutonte blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane nga Kievi me homologun e tij amerikan Donald Trump në një takim në Uashington, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në margjinat e G7 në Kanada.

Top Channel