
Ka çaste kur gjithçka mbetet pezull mes asaj që duhej bërë dhe asaj që ende mund të bëhet.
Lautaro Martinez, me buzëqeshjen në fytyrë por me sytë që fshehin një melankoli të ndjeshme, përjeton pikërisht këtë gjendje ndërsa mbërrin në fushën e trajnimit në UCLA.
Kalon mes thirrjeve të fëmijëve që bërtasin emrin e tij, por në mendje ende jehon zhgënjimi i një sezoni që nuk përfundoi siç pritej.
Ai nuk përmend kurrë “Mynihun”, “finalen” apo “PSG-në”. Për të, gjithçka përmblidhet në “atë që ndodhi”. Sepse edhe emërtimi i asaj ndeshjeje – 5-0 – ende dhemb.
Kapiteni i Interit pranon se fjalët e para që i vijnë ndërmend janë: “Duhet të kthejmë faqen”. Por më pas, si çdo sportist që nuk e pranon lehtësisht dështimin, shton: “Nuk mund ta kuptoj si e humbëm një mundësi kaq të madhe në atë mënyrë”.
Pas një largimi të trishtë nga kombëtarja dhe dy ndeshjeve pa minuta loje, Lautaro duket i vendosur të gjejë sërish veten. Dhe nisja e këtij rrugëtimi përkon me ardhjen e trajnerit të ri të Interit, Cristian Chivu.
“Folëm në telefon edhe para se të takohemi. Më tregoi idetë e tij dhe më pëlqyen. Mendojmë njësoj dhe e pashë tek ai të njëjtën dëshirë për të fituar”, tha Lautaro, duke lënë pas Spallettin, Konten dhe Inzaghin.
Por ndoshta mesazhi më i rëndësishëm është ai për shokët e tij të skuadrës: “U thashë të jenë të fortë në mendje. Kemi dhe një përpjekje të fundit për të bërë, përpara se të nisim pushimet. Duhet të vazhdojmë rritjen tonë”.
Ndërkohë që fryma e re e stërvitjes në Kaliforni i jep një tjetër atmosferë kapitenit zikaltër, ai duket i intriguar nga projekti i ri: “Është mirë të bësh gjëra ndryshe me trajnerin e ri. Konceptet nuk janë shumë larg atyre të Inzaghit, por diçka do të ndryshojë – sidomos presioni gjatë ndeshjeve”.
Në horizont është një objektiv i madh: Kupa e Botës për Klube. “Më vjen keq që nuk fitova asnjë trofe këtë sezon, por nuk e konsideroj një sezon negativ. Kjo duhet të na japë forcë për të nisur sërish me dëshirë. Duam ta luajmë këtë Kupë me gjithë energjinë tonë. Nuk ka më vend për të parë pas”.
Për Lautaron, kthesa fillon sot – kundër Monterrey-t. Dhe ndoshta, siç thoshte shkrimtarja Alison Lurie: “Shkon në Evropë për të parë të kaluarën, por për të vëzhguar të ardhmen duhet të vizitosh Kaliforninë”. Lautaro është aty. Dhe e ardhmja fillon tani.
Top Channel