
Lufta mes Izraelit dhe Iranit vazhdon. Natën mes të shtunës 14 dhe të dielës 15 qershor, Izraeli goditi një rafineri nafte dhe “selinë bërthamore të Iranit” në Teheran. Në flakë ra edhe një tjetër objekt, në Shahran.
Qeveria izraelite ka miratuar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në frontin e brendshëm deri më 30 qershor. Në total, janë vrarë 24 persona dhe mbi 500 janë plagosur nga sulmet iraniane ndaj Izraelit që nga e premtja e kaluar.
Sipas burimeve të sigurisë iraniane, në Iran janë 224 të vdekur dhe 1.200 të plagosur që nga fillimi i sulmeve.
Irani: “Sot përdorëm një raketë të re kundër Izraelit”
Forcat e armatosura iraniane kanë përdorur sot një raketë të re kundër Izraelit, e cila nuk është arritur të përgjohet. Këtë e deklaroi zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Mbrojtjes, gjenerali Alireza Talaee Nik, në një intervistë për televizionin shtetëror iranian.
“Sot përdorëm për herë të parë një nga raketat tona dhe regjimi sionist nuk e kuptoi as që ishte lëshuar. Do të kenë surpriza të tjera si kjo,” tha gjenerali, duke theksuar se Irani “po përballet me një luftë të imponuar”.
“Ne jemi në pozicion mbrojtës, por po përdorim të gjitha kapacitetet tona ofensive dhe mbrojtëse,” shtoi Talaee Nik, i cili theksoi se “armiku nuk mund të përballojë një luftë të gjatë”.
IAEA: “Prova të goditjeve direkte në vendin nëntokësor të Natanz”
“Sipas analizave të vazhdueshme të imazheve satelitore me rezolucion të lartë, të mbledhura pas sulmeve të së premtes ndaj Iranit, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka identifikuar prova shtesë që tregojnë për goditje të drejtpërdrejta në ambientet nëntokësore të pasurimit të uraniumit në Natanz.” Këtë e deklaroi vetë AIEA në rrjetin X, duke shtuar se nuk ka “asnjë ndryshim për të raportuar në Isfahan dhe Fordow”.
Starmer shpall sanksione të reja britanike kundër Rusisë
Kryeministri britanik Keir Starmer ka shpallur sanksione të reja kundër Rusisë, teka ndodhet në samitin e G7 në Kanada dhe në sfondin e sulmeve të fundit ruse ndaj Ukrainës, të cilat janë dënuar nga Londra.
Paketa e re e sanksioneve – sipas faqes së qeverisë britanike – synon katër individë, gjashtë entitete dhe rreth njëzet anije që, sipas Mbretërisë së Bashkuar, janë të përfshira në veprimtarinë e ashtuquajturës “flotë fantazmë” që ndihmon Rusinë të marrë furnizime në sektorë si “elektronika”.
“Duhet të shtojmë presionin ekonomik mbi Vladimir Putinin” për ta detyruar të jetë “serioz për paqen”, tha Starmer.
“Qëllimi është të eliminojmë kërcënimet bërthamore dhe raketore”
Qëllimi përfundimtar i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) është të eliminojnë kërcënimet bërthamore dhe raketore të Iranit. Këtë e tha gjenerali i divizionit Oded Basiuk, shefi i Drejtorisë së Operacioneve të IDF, i cituar nga gazeta “Times of Israel”.
“Vazhdojmë të godasim objektiva bërthamorë për të konsoliduar rezultatet, sipas ritmit që na përshtatet më shumë,” tha Basiuk.
“Po godasim regjimin terrorist, jo popullin, i cili meriton një të ardhme më të mirë. Kush na rrezikon është udhëheqja në Teheran, jo njerëzit që ecin rrugëve,” shtoi gjenerali.
“Jemi gati për mbrojtje. Mendoj se iranianët do të vazhdojnë të përpiqen të dëmtojnë Izraelin.”
Për programin bërthamor iranian, ai tha se IDF “nuk do të lejojë që një Iran bërthamor ta shndërrojë Lindjen e Mesme në një varrezë.”
Katz: ‘Nuk kemi asnjë negociatë në zhvillim me Iranin’
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, shkoi në vendin e goditur nga raketa në Herzliya dhe deklaroi:
“Nuk po zhvillojmë asnjë negociatë. Nuk do të lejojmë që qytetarët izraelitë të pësojnë dëme.”
Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkoheshin fushatës, Katz u përgjigj:
“Shtetet e Bashkuara janë një mik i madh, po na ndihmojnë të mbrohemi nga disa sulme dhe i falënderojmë për këtë. Vendimet e presidentit janë vendimet e Amerikës, do t’i respektojmë dhe do të jemi mirënjohës për çdo ndihmë.”
Tajani: BE duhet të punojë për të ndërtuar paqe dhe stabilitet
Evropa duhet të punojë së bashku “për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani në margjinat e një eventi për Don Oreste Benzi, në Villa Madam.
“Pas përfundimit të luftës – shtoi Tajani – do të duhet të hapet një epokë e re ku Izraeli dhe Palestina të mund të jetojnë bashkë dhe Irani të mos mendojë të fshijë Izraelin nga harta.”
Xi: “Të shqetësuar nga veprimet e Izraelit, nevojitet de-përshkallëzim”
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, është shprehur se Kina është “thellësisht e shqetësuar” për sulmet ushtarake të Izraelit ndaj Iranit, të cilat “kanë shkaktuar rritje të menjëhershme të tensioneve në Lindjen e Mesme”. Në një takim në Astana me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, Xi theksoi se është kundër çdo veprimi që shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti tjetër. “Konflikti ushtarak nuk është zgjidhje për problemin,” – tha ai. “Duhet ulje e tensioneve sa më parë.”
Izraeli: Operacionet ushtarake do të zgjerohen
Shefi i inteligjencës ushtarake izraelite, gjeneralmajor Shlomi Binder, tha se forcat izraelite “së shpejti do të nisin veprimet në zona të tjera të Iranit”, pasi sipas tij, “kemi hapur rrugën deri në Teheran”.
Dy shpërthime të forta në Teheran
Mediat raportojnë për dy shpërthime të forta të dëgjuara nga qendra dhe veriu i Teheranit, në ditën e pestë të bombardimeve të vazhdueshme izraelite.
Ushtria izraelite: “Neutralizuam selinë kryesore të emergjencës ushtarake të Iranit”
Gjenerali izraelit Oded Basiuk deklaroi se është neutralizuar qendra kryesore e komandës ushtarake iraniane. “Udhëheqësit ushtarakë të Iranit janë detyruar të ikin,” – tha ai.
Irani konfirmon përdorimin e një rakete të re
Ministria iraniane e Mbrojtjes njoftoi se sot është përdorur një raketë e re kundër Izraelit, të cilën “forcat sioniste nuk arritën ta kapin”.
Vatikani: “Çarmatim bërthamor me mjete paqësore”Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, deklaroi: “Jemi për çarmatimin bërthamor të përgjithshëm, por kjo duhet të ndodhë përmes dialogut dhe paqes.”
Irani: “1.800 të plagosur nga sulmet izraelite”
Ministri iranian i Shëndetësisë, Mohammad-Reza Zafarghandi, raportoi se rreth 1.800 persona janë plagosur që nga fillimi i sulmeve më 13 qershor, shumica civilë.
Rusia: “Të ushtrohet përmbajtje, të arrihet zgjidhje paqësore”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kërkoi nga Izraeli dhe Irani “përmbajtje maksimale” dhe theksoi rëndësinë e një zgjidhjeje politike dhe diplomatike.
Sulme të reja ajrore izraelite në Iranin perëndimor
Mediat izraelite raportojnë për një valë të re sulmesh ajrore në rajonet perëndimore të Iranit, duke cituar burime ushtarake.
Trump: “Nëse prekin bazat amerikane, do të reagojmë ashpër”
Ish-presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi: “Nëse Irani sulmon trupat tona, do të përgjigjemi me të gjithë forcën. Nuk dua thjesht armëpushim, por një fund të vërtetë të këtij konflikti.”
BE: “Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”
Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme, deklaroi se “jemi të gjithë të një mendimi që Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Situata duhet qetësuar menjëherë.”
Katz: “Khamenei mund të përfundojë si Saddam Hussein”
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, “mund të ketë një fat të ngjashëm me atë të Saddam Hussein”. Ish-presidenti irakian u rrëzua në vitin 2003 dhe u ekzekutua në 2006 për krime kundër njerëzimit. “E paralajmëroj diktatorin iranian të mos vazhdojë me krime lufte dhe sulme me raketa ndaj civilëve izraelitë. Le të kujtojë çfarë ndodhi me diktatorin e Irakut që mori rrugë të ngjashme”, u shpreh Katz gjatë një takimi me drejtuesit e ushtrisë izraelite.
Trump: “Dua një fund të vërtetë, jo thjesht një armëpushim”
Presidenti amerikan Donald Trump, sapo u largua nga samiti i G7 në Kanada, deklaroi nga bordi i Air Force One: “Nuk po kërkojmë një armëpushim, por diçka më të mirë – një përfundim të vërtetë të luftës midis Iranit dhe Izraelit.”
Iran: Evakuohen mbi 600 shtetas të huaj drejt Azerbajxhanit
Në përshkallëzimin e konfliktit, më shumë se 600 shtetas të huaj nga 17 vende, përfshirë 40 azerbajxhanas, janë evakuuar nga Irani drejt Azerbajxhanit, sipas një zyrtari lokal anonim.
Banka shtetërore iraniane jashtë funksionit pas një sulmi kibernetik
Grupi i hakerëve “Predatory Sparrow” ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik që ka paralizuar Bank Sepah, një ndër bankat më të vjetra shtetërore në Iran. Banka thuhet se ka lidhje me Gardën Revolucionare Islamike, sipas faqes së lajmeve Iran International.
Irani: “Rrëzuam një avion luftarak F-35 izraelit në Tabriz”
Zyrtari iranian Majid Farshi njoftoi se është rrëzuar një avion F-35 izraelit mbi qytetin Tabriz, në veriperëndim të Iranit. Sipas tij, gjithashtu janë rrëzuar edhe dy dronë luftarakë në të njëjtën zonë. Izraeli ka sulmuar tre zona rreth Tabrizit sot.
Pasdaranët: “Sulmuam qendrat e inteligjencës Aman dhe Mossad”
Garda Revolucionare iraniane (IRGC) deklaroi se ka goditur selitë e inteligjencës ushtarake dhe të jashtme izraelite – Aman dhe Mossad – gjatë sulmeve të fundit. Sipas deklaratës, ndërtesa e Mossad në Tel Aviv është “në flakë”, pavarësisht sistemeve të mbrojtjes të avancuara.
Gaza: 51 të vdekur dhe mbi 200 të plagosur në Khan Younis
Në jug të Rripit të Gazës, në qytetin Khan Younis, janë vrarë 51 palestinezë dhe plagosur mbi 200 të tjerë ndërsa prisnin ndihma ushqimore. Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite bombarduan një shtëpi aty pranë dhe më pas hapën zjarr mbi turmën. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende. Nuk ka lidhje me rrjetin e ri të ndihmave humanitare të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.
Shpërthime pranë një baze ajrore në Tabriz
Dy shpërthime të fuqishme janë ndjerë në qytetin Tabriz, në afërsi të një baze të rëndësishme ajrore të ushtrisë iraniane. Mediat iraniane kanë publikuar video ku duken shtëllunga tymi në zonë. Tabriz ndodhet në një pozicion strategjik dhe ka qenë në shënjestër të mundshme të Izraelit këto ditë.
Media: “Goditur selia e Mossad pranë Tel Avivit”
Agjencia ruse Tass, duke cituar burime iraniane, raporton se Irani ka goditur me raketa selinë e Mossad (shërbimi sekret izraelit) pranë Tel Avivit.
Trump: “Po mendoj të dërgoj Witkoff ose Vance në Teheran”
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë për të dërguar Steve Witkoff ose J.D. Vance në Teheran për të biseduar me autoritetet iraniane. Gazetarja Jennifer Jacobs e CBS News, që udhëtoi me Air Force One nga Kanadaja, raportoi se Trump tha se kjo do të varet nga zhvillimet pas kthimit të tij në Uashington. Ai përsëriti se nuk po kërkon një armëpushim, por një “zgjidhje të vërtetë” të çështjes bërthamore me Iranin, ku Teherani të heqë dorë plotësisht nga armët bërthamore.
Irani: “Shkatërruam objektiva strategjike në Izrael me dronë”
Gjenerali Kioumars Heidari deklaroi se ushtria iraniane përdori dronë të sofistikuar për të goditur objektiva strategjike në Tel Aviv dhe Haifa. Sipas tij, këto dronë kishin aftësi të larta për saktësi dhe shkatërrim.
300 viktima e të plagosur në spitalin Nasser në Khan Younis
Doktor Mohammed Saqer, përgjegjës i infermierisë në spitalin Nasser, raportoi se afro 300 persona të vrarë dhe të plagosur u dërguan në spital pas një sulmi me tanke izraelite ndaj civilëve që prisnin ndihma ushqimore.
Gazeta “Kayhan”: “Shkatërrimi i Izraelit, zgjidhja e vetme”
Sipas gazetës “Kayhan”, e lidhur me udhëheqësin suprem iranian Ali Khamenei, negociatat kanë përfunduar dhe mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës është shkatërrimi i Izraelit.
Kina: “Trump po hedh benzinë në zjarr”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, akuzoi presidentin Trump për përshkallëzim të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit, duke e krahasuar qasjen e tij me “hedhjen e benzinës mbi zjarrin”.
Izraeli eliminon kreun e shtabit iranian Ali Shadmani
Sipas ushtrisë izraelite (IDF), Ali Shadmani, kreu i shtabit të përgjithshëm ushtarak të Iranit gjatë kohës së luftës, u vra në një sulm ajror të koordinuar në Teheran. Ai mori drejtimin e Shtabit disa ditë më parë pasi paraardhësi i tij ishte vrarë.
Izraeli: “Qytetarët mund të lënë strehimet”
Pas valës së fundit të sulmeve nga Irani, IDF njoftoi se qytetarët izraelitë mund të dalin nga strehimet. Rreth 20 raketa balistike ishin lëshuar drejt Izraelit, por pa pasoja në jetë njerëzish, përveç dëmeve materiale në një parking në qendër të vendit.
Dëme në Tel Aviv dhe Herzliya nga raketat iraniane
Një raketë goditi Herzliya, një qytet pranë Tel Avivit. U raportuan shpërthime të fuqishme në Tel Aviv dhe jehonë shpërthimesh në zonën e Jerusalemit.
Top Channel