
Simone Inzaghi ishte trajneri i ri i Al Hilal edhe para finales së madhe të sezonit me Interin – por nga respekti për klubin zikaltër, ai kërkoi që marrëveshja të mos nënshkruhej deri pas ndeshjes vendimtare. Këtë e ka zbuluar vetë CEO i Al Hilal, Esteve Calzada, në një intervistë për BBC.
“Gjithçka ishte vendosur tashmë, por nuk u nënshkrua para finales vetëm sepse Inzaghi na kërkoi të prisnim. Ishte një gjest respekti i jashtëzakonshëm nga ana e tij,” – u shpreh Calzada.
“Mund të duket si një lëvizje e papritur, por në fakt është rezultat i një pune të palodhur dhe të planifikuar prej kohësh.”
Sezoni i kaluar nuk përfundoi sipas pritshmërive për klubin saudit, i cili u rendit i dyti në ligë. Tashmë, me trajnerin e ri, pritshmëritë janë të qarta: fitore dhe dominim në kampionat.
“Thjesht, ajo që presim nga trajneri i ri është të na ndihmojë të fitojmë sërish. Duam titullin mbrapsht,” – theksoi Calzada.
Testi i parë i madh për Inzaghin do të vijë menjëherë me Kupën e Botës për Klube, e cila po zhvillohet në SHBA dhe transmetohet në mënyrë ekskluzive nga Mediaset.
“Nuk jemi këtu për të shkëmbyer fanella me lojtarët e Real Madridit apo për t’u mburrur. Kemi një ekip shumë të talentuar, me një trajner të famshëm botërisht, dhe po i afrohemi këtij turneu me ambicien më të madhe.”
Përveç objektivave sportive, Calzada ka dhënë një mesazh të qartë edhe për merkaton: Al Hilal kërkon yje të mëdhenj, por jo me çdo çmim.
“Jemi shumë ambiciozë, por duam lojtarë që vërtet duan të vijnë, jo thjesht të pasurohen. Kemi ndalur disa negociata sepse disa lojtarë vijnë vetëm për paratë. Ne nuk shtypim para, edhe pse jemi sauditë!”.
Sipas tij, çdo transferim duhet të jetë i balancuar: “Transaksioni duhet të funksionojë në të dyja drejtimet – jo vetëm nga ana jonë.”
Top Channel