Në Durrës për historinë! Më shumë se plazhi, të huajt i tërheq historia e qytetit dhe zonat arkeologjike

16/06/2025 13:12

Edhe pse sezoni i plazhit ka nisur, grupe turistësh shihen ngado në rrugët e qytetit të Durrësit.

Ajo që i tërheq më shumë se plazhi është historia, zhvillimi urban dhe kontakti me jetën e qytetit.

Durrësi është epiqendra e turizmit në Shqipëri, pasi ka kapacitetin më të madh të shtretërve në vend”-shprehet Edmond Basho, administrator turistik

“Kemi ardhur në grup nga Holanda për një tur në Shqipëri. Ishim në  Ohër më parë, po po na pëlqen shumë këtu.”

“Shqipëria na duket shumë interesante, një vend me kulturë, zhvillim mbresëlënës dhe histori që na bën kuriozë të dimë më shumë. Dikur me dukej e paarritshme, ndaj më intereson të di për historinë, politikën dhe natyrën.”

Turistët nuk ndalen vetëm në qendër, apo pranë monumenteve arkeologjike, ata përpiqen të zbulojnë më shumë edhe nga përditshmëria e banorëve të qytetit.

“Jemi nga Berlini. Erdhëm se dëgjuam që njerëzit këtu janë të këndshëm dhe vendi ofron alternativa të ndryshme, si në plazh ashtu edhe në qytet. Dhe nuk u zhgënjyem.”

“Jemi nga Danimarka dhe po kënaqemi. Po qëndrojmë në Tiranë dhe erdhëm këtu për një tur ditor.”

“Është një vend i bukur, po e shijojmë.”

Sipas agjencive turistike, edhe vetë durrsakët po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për turizmin vendas.

“Shqiptarët preferojnë të udhëtojnë jashtë, po ka një trend të ndryshimit të drejtimit për pushime drejt jugut, ku çdo vit rriten më shumë shifrat e pushuesve shqiptarë.”

Përmirësimi i ofertës turistike, përfshirë dhe shërbimin po e bën vendin tonë, jo vetëm destinacion te preferuar për turistët e huaj, por edhe një alternativë të mirë për pushuesit vendas.

Top Channel