Me 72 vota pro, mazhoranca miratoi projektligjin e propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për performancën e energjisë në ndërtesa.

Miratimi i projektligjit që kërkonte shumicë të thjeshtë votash dhe u arrit me votat e deputetëve socialistë, përfshirë ministrat Taulant Balla, Ogerta Manastirliu, Ulsi Manja, Anila Denaj si dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.

Nga opozita ishte i pranishëm demokrati Dashnor Sula, i cili ngriti kartonin e vetëm të kuq në sallë.

Më herët gjatë seancës, opozita ngulmoi në prezantimin e projektligjit “Për performancën energjitike të ndërtesave” nga ministria Belinda Balluku por në mungesë të saj, ishte ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili shpjegoi rëndësinë e këtij projektligji.

Projekt-ligji ka për qëllim promovimin dhe përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë të shkaktuara nga stoku i ndërtesave në Republikën e Shqipërisë, duke konsideruar kushtet klimatike të jashtme, kushtet lokale, kërkesat për cilësinë e mjedisit të brendshëm, nivelin optimal të kostos duke synuar një stok ndërtesash pa emetime deri në vitin 2050.

Objektivi konsiston në përcaktimin e kritereve, kushteve, kërkesave, standardeve për rritjen e performancës energjetike të ndërtesave dhe si rezultat rritjen e efiçencës energjetike në përputhje me objektivat kombëtare që lidhen me të dhe me sigurine e furnizimit me energji, reduktimin e kërkesës për burime të reja energjetike etj.

Top Channel