“Ne nuk mbështesim regjimin, por jemi kundër sulmeve ndaj civilëve”/ Frika ‘pushton’ iranianët: Nuk kemi ku të fshihemi!

15/06/2025 17:39

Frika dhe pasiguria po përfshijnë qytetet më të mëdha të Iranit, teksa Izraeli ka paralajmëruar se do të vijojë goditjet ndaj Republikës Islamike për shkak të programit të saj bërthamor.

Në kryeqytetin Teheran dhe zonat përreth, qindra qytetarë po largohen në drejtim të zonave më të sigurta në veri të vendit, ndërsa shpërthimet dhe alarmet nuk kanë të ndalur.

Në lagjen luksoze të Saadat Abad, një nga zonat që është goditur nga sulmet ajrore, banorët kanë dëgjuar shpërthime gjatë gjithë natës. “Disa prej tyre ishin aq të fuqishme sa lëkundën të gjithë ndërtesën,” rrëfen një banor për CNN, duke kërkuar të mbetet anonim për arsye sigurie.

Një ndërtesë në lagje është përfshirë nga tymi dhe banorët janë detyruar të zbresin në katin përdhe. Familjet me fëmijë të vegjël janë përpjekur t’i qetësojnë mes zhurmave dhe panikut. Ndryshe nga Izraeli, Teherani nuk ka strehimore moderne kundër bombave. Në raste emergjente, qytetarët strehohen në bodrume apo tunele të kohës së luftës Iran-Irak në vitet ’80.

Këtu nuk ka strehimore. Njerëzit po shkojnë nëpër bodrume,” deklaroi të dielën kreu i Këshillit Bashkiak të Teheranit, Mehdi Chamran, duke shtuar se metrotë mund të shërbejnë si strehë në rast krizash ekstreme, por edhe ato mund të mbyllen nëse situata përshkallëzohet.

Qeveria ka njoftuar se metroja do të funksionojë 24 orë në ditë për të strehuar qytetarët, ndërsa shkollat dhe xhamitë do të qëndrojnë të hapura.

Të moshuarit që kanë përjetuar edhe luftën Iran-Irak po e krahasojnë atmosferën e tanishme me atë periudhë të errët, ndërsa shqetësimi i tyre shtohet për shkak të goditjes së zonave të banuara nga forcat izraelite.

Ne nuk mbështesim regjimin iranian, por kundërshtojmë sulmet ndaj civilëve,” tha një qytetar i moshuar nga Teherani. “Nëse Izraeli ka probleme me programin bërthamor, le të godasë objektivat ushtarake – jo njerëzit e pafajshëm. Kjo që po ndodh ngjan me Gazën.”

Izraeli ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit palestinez dhe ka zhvendosur popullsinë e Gazës në fushatën e tij kundër Hamasit – një aleat i Iranit.

Ndërsa lufta kërcënon të përshkallëzohet, jeta në kryeqytetin iranian vijon mes pasigurisë. Supermarketet janë ende të mbushura, grumbullimet publike nuk janë ndaluar ende, por tensioni ndihet kudo. Radhët për karburant janë të gjata, dhe qytetarët lejohen të blejnë maksimumi 25 litra. Edhe përdorimi i bankomatëve është kufizuar.

Shumë familje po përpiqen të largohen drejt veriut të vendit, pranë Detit Kaspik, në zona më të izoluara. Por rrugët janë të bllokuara dhe lëvizja është pothuajse e pamundur.

Top Channel