Humbi kontrollin mbi ‘Jet Ski’ dhe ra në ujë, shtetasi belg përfundon në spital me dëmtime të rënda

15/06/2025 22:51

Një tjetër incident është shënuar sot në brigjet e vendit.

Një shtetas belg është paraqitur në spitalin e Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin që drejtonte, ‘Jet Ski’, dhe për pasojë ka rënë në ujë.

21-vjeçari është transportuar menjëherë drejt spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Njoftimi:

Rreth orës 20:00, shërbimi i Urgjencës së Spitalit të Durrësit ka njoftuar se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi belg H. K., 21 vjeç.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në spital dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit, ky shtetas dyshohet se gjatë manovrave ka humbur kontrollin mbi një mjet lundrues (Jet Ski) dhe ka rënë në ujë.

Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime të rënda dhe nga Spitali Rajonal i Durrësit është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Top Channel