Trump mban “peng” Gardën Kombëtare të Kalifornisë, komanda nuk do t’i kalojë guvernatorit rajonal

14/06/2025 08:32

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të mbajë ende nën kontroll Gardën Kombëtare të Kalifornisë, pasi një gjykatë apeli pezulloi përkohësisht vendimin që i kërkonte t’ia kalonte komandën Guvernatorit Gavin Newsom.

Vendimi për pezullim u mor nga Gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të të SHBA-së, e cila shtyu zbatimin e urdhrit të mëhershëm të gjyqtarit federal Charles Breyer, duke thënë se veprimi do të qëndrojë “në pritje të një urdhri të mëtejshëm”. Seanca dëgjimore për këtë çështje është caktuar për të martën.

Ndërkohë, protestat në Los Angeles kundër bastisjeve të organizuara nga administrata Trump kanë hyrë në natën e shtatë. Sipas Kryetares së Bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, shtetrrethimi që mbulon një zonë prej 1 milje katrore në qendër të qytetit ka të ngjarë të zgjatet edhe për “disa ditë të tjera”.

Tubimet “Pa Mbretër”: Më shumë se 1,900 protesta janë planifikuar në të gjithë SHBA-në për të shtunën. Organizatorët i kanë përshkruar si tubime kundër veprimeve “autoritariste” të Presidentit Trump. Protestat pritet të zhvillohen paralelisht me një paradë ushtarake që Trump do të organizojë në Washington, DC.

Arrestime në Los Angeles: Policia e Los Angelesit (LAPD) bëri rreth një duzinë arrestimesh të enjten mbrëma, pasi disa protestues shkelën orën policore. Megjithatë, demonstratat u zhvilluan në mënyrë kryesisht paqësore, sipas raportimit të degës së CNN, KCAL.

Tensione në New Jersey: Në Newark, oficerë federalë dhe lokalë ndërhynë në qendrën e emigracionit Delaney Hall, pas raportimeve për një sherr të nxitur nga mungesa e ushqimit. Kjo ndodhi pak javë pasi kryetari i bashkisë së Newark u arrestua në të njëjtin vend gjatë një përplasjeje me agjentë federalë.

Thirrja e senatorit Padilla: Senatori demokrat Alex Padilla, i nxjerrë me forcë nga një konferencë për shtyp e Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë në mënyrë paqësore.

Top Channel