Qeveri uniteti? Propozimi i LDK kundërshtohet nga Vetëvendosja si fituese e zgjedhjeve: Matematika është e thjeshtë

14/06/2025 13:15

Përderisa Kosova vazhdon të jetë në ngërç politik pas dështimeve të njëpasnjëshme për të konstituuar Kuvendin, disa parti kanë nisur me propozime për të gjetur rrugëzgjidhje.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas propozimit të Qeverisë së Unitetit, ka shkuar një hap më tej, duke hartuar edhe një plan me 15 pika ku do të fokusohej kjo qeveri.

Duke konsideruar se kanë ofruar zgjidhje, LDK pret qasje racionale nga partitë e përfaqësuara në parlament.

Ekrem Hyesni-deputet, LDK: Ne presim një qasje racionale që mos të bëhet vetëm për çështje të një përfitimi të vogël politik, të një partie ose një tjetër politike, por të shikohet interesi qytetar

Megjithatë, të premten, këto parti nuk i dhanë mbështetjen qeverisë së unitetit.Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit e quan absurd këtë propozim.

Albulena Haxhiu-deputete, LVV: Ajo ç’ka është e rëndësishme është që është absurde të propozosh që të mblidhemi për të diskutuar për 15 pikat, kur ne s’po mund të merremi vesh për konstituimin e Kuvendit.

As Partia Demokratike e Kosovës nuk i jep përkrahje LDK-së në këtë plan, duke thënë që zgjidhja do të ishte formimi i qeverisë së opozitës.

Memli Krasniqi-deputet, PDK: Matematika është shumë e thjeshtë, unë e kam thënë po e përsëris, vetëm 19 vota të LDK-së, unë i bëj krejt të tjerat bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju edhe unë dhe secili, këtu ka deputetë pa Listën Serbe që partitë e ish-opozitës e bëjnë 61-shin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh propozimin e LDK-së si ofertë për një afat kalimtar e NISMA thotë se duhet marrëveshje politike.

Ndërkohë, sipas njohësve, marrëveshja politike po ashtu është zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza institucionale e krijuar që nga 15 prilli. “Qeveria e Unitetit” sipas tyre është e dizajnuar vetëm për një periudhë të caktuar, porse është e pamundur të bëhet.

Afrim Kasolli-analist: Të paktën kjo krijon një rrugë se si dilet prej bllokadës aktuale, sepse edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse mbesin i vetmi opsion, nuk shkohet pa marrëveshje politike, por pa pajtimin e të gjitha subjekteve të tjera politike kjo mbetet vetëm ide në mesin e shumë të tjerave dhe nuk mund të marrë jetë.

Në mesin e 15 pikave të planit për Qeverinë e Unitetit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përfshirë funksionalizimin e institucioneve, rritjen e pagave, pako emergjente për krizën energjetike, rindërtimin e raporteve me ndërkombëtarët e platformë për dialogun me Serbinë.

 

Top Channel