
EagleBeat Festival, një thirrje për kthim te vetvetja në tokën e shqiponjave
Festivali që do të bashkojë në tre net modernen me të lashtën, të huajën me vendasen, shpirtin me tingujt po i jep Tiranës një frymë unike krejt ndryshe.
Në mbrëmjen e parë mirëpriti krahëhapur dj më në zë në botë si DIMITRI VEGAS & LIKE MIKE , TUJAMO, MARNIK të cilët dhuruan spektakël në një skenë rrëzëllitëse dhe që morën në këmbim shijen e energjisë që nuk shteron.
“Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Energjia është e jashtëzakonshme. Nuk kam qenë kurrë më parë në Shqipëri dhe kjo ndjehet si një ‘Mirë se erdhe në Shqipëri’ me gjithë shpirt”.
-Po dukesh si shqiptar.
“Po hej Greqi, Shqipëri nuk jemi dhe aq larg. Jemi një familje”, tha DJ Like Mike.
“Kemi dëgjuar gjëra fantastike për Shqipërinë, sidomos për festën epike me Martin Garrix vitin e kaluar, ndaj presim vetëm më të mirën”, tha DJ Dimitri Vegas.
“Ky është festivali im i parë në Shqipëri. Më parë kisha qenë vetëm në disa klube të vogla, por EagleBeat është tjetër gjë. Sapo pashë skenën… wow. Është gjigante. Sinqerisht, më kaluan mornica. Ja kjo është diferenca mes Gjermanisë dhe Shqipërisë…këtu njerëzit janë kaq bujarë. Të japin dhurata, jo vetëm materiale, por edhe emocionale. Ky moment është i veçantë. Hera e parë që marr diçka të tillë. Faleminderit që jeni gjithmonë ndër njerëzit më të mirë në botë”, tha DJ Tujamo.
“Shqiptarët dinë si të festojnë! Ishte e mrekullueshme. Ishte çmenduri. Energjia ishte jashtë kësaj bote. Produksioni ishte në një tjetër nivel, thjesht i pabesueshëm. E kam dashur çdo sekondë. Kur bëmë soundcheck sot, mbeta pa fjalë wow. E dua Shqipërinë dhe do të kthehem sërish.
Të tërhequr nga tingujt e një toke që flet përmes historisë, natyrës e muzikës në Eagle Beat Festival, artistët sollën një atmosferë fantastike që shërbeu si urë lidhëse mes njerëzve. Ndërsa përkrahje patën edhe emrat shqiptarë”, tha DJ Marnik.
“Jemi mësuar të luajmë vetëm në klube. Më pëlqen shumë organizimi, koncepti që po bëhet në openair. Energjia është shumë pozitive”, tha DJ Miss Ilda.
“EagleBeat i ka dhënë hapësirë edhe artistëve të rinj dhe është për tu vlerësuar. Përvec nesh, për njerëzit është një ditë ndryshe, për qytetin që I jep një shpirt të mirë”, tha Rea.
“Me të gjithë partnerët tanë që janë shumë të rëndësishëm edhe më i çmuari Top Channel që na takon të bëjmë Festivalin më të mirë që i përket trojeve tona. Duhet të jemi Eaglebeats të gjithë, duhet ta ngrejmë në maksimum Festivalin tonë sepse kemi traditën tonë. Nuk ka gjë më të bukur se një njeri që flet shqip, 36 gërma, 36 tinguj kush tjetër i ka?!” tha Albi.
Tirana e shndërruar në qytetin që nuk fle do të vijojë shijimin e Eagle Beat Festival gjatë fundjavës me kujtime të paharrueshme…
Top Channel