Trump nuk donte që Izraeli të sulmonte, Sekretari Rubio: Ne nuk jemi të përfshirë. Teherani pezullon fluturimet

13/06/2025 03:08

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të përfshirë në sulmet e Izraelit ndaj Iranit. 

Deklaratën e bëri në mbrëmje, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio. 

“Sonte, Izraeli ndërmori një veprim të njëanshëm kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulmet ndaj Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon. Izraeli na informoi se beson se ky veprim ishte i domosdoshëm për vetëmbrojtje”, tha Rubio. 

Sipas tij “Presidenti Trump dhe Administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe janë në kontakt të ngushtë me partnerët rajonalë. Dua të jem i qartë: Irani nuk duhet të shënjestrojë interesat apo personelin amerikan.”

Ndërkohë, të gjitha fluturimet në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Teheranit janë pezulluar, sipas mediave shtetërore iraniane.

Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini ndodhet rreth 30 km në jugperëndim të kryeqytetit iranian.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u pyet më herët gjatë ditës për kërcënimet për një sulm dhe ishte i qartë që nuk donte të shihte sulme izraelite në Iran.

“Për aq kohë sa mendoj se do të ketë një marrëveshje, nuk dua që ata të ndërhyjnë,” tha ai, duke shtuar se një sulm mund “ta prishë atë” sa i përket negociatave.

Ai shtoi se beson që një sulm është “mjaft afër.”

“Nuk dua të them që është i menjëhershëm,” tha ai për një sulm të mundshëm izraelit. “Por duket si diçka që mund të ndodhë.”

Gjithashtu, Trump tha se do të donte të shmangte një konflikt.

“Ata [Irani] do të duhet të jenë të gatshëm të na japin disa gjëra që aktualisht nuk janë të gatshëm t’i japin,” u shpreh ai.

Top Channel