
4 grup-kapituj në 9 muaj për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ambasadori gjerman, Karl Bergner, i ka cilësuar një rekord për Shqipërinë.
Gjermania shpreh mbështetjen e plotë ndaj vendit tonë, ndërsa afati i hapjes së të gjithë grup-kapitujve, sipas ambasadorit, do të përfundojë në fund të vitit.
“Duhet ta përgëzoj Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare për hapjen e katër prej këtyre gjashtë grup-kapitujve në 8-9 muajt e fundit, që nga tetori i vitit të kaluar. Ekipi negociator po bën një punë shumë të mirë, sepse hapja e katër kapitujve në nëntë muaj është një rekord. Jam i bindur se me këtë kapacitet të ekipit të tryezës, pjesa tjetër e grup-kapitujve do të hapet deri në fund të vitit”.
Ambasadori Bergner garanton mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në shumë fusha, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
“Ne do të përqendrohemi shumë në çështje si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, që ngrihen në raportin e fundit të progresit të vitit të kaluar. Dhe jam shumë i lumtur që e ndajmë këtë fokus me qeverinë, ata janë zotuar ta bëjnë këtë, për të trajtuar këto çështje që shqetësojnë shqiptarët. Jam shumë i bindur se Shqipëria mund të arrijë mjaft nga objektivat që i ka vënë vetes. Dhe ne do ta shoqërojmë Shqipërinë në këtë rrugëtim”.
Sipas ambasadori Bergner, Gjermania do të ndihmojë vendin të përmbushë kërkesat e BE-së për sektorë të ndryshëm, edhe nëpërmjet projekteve të financuara.
Top Channel