
Ndërsa situata në Lindjen e Mesme përshkallëzohet, Izraeli urdhëron mbylljen e të gjitha misioneve diplomatike dhe pezullimin e shërbimeve konsullore në mbarë botën, përfshirë edhe ambasadën në Shqipëri.
Vendimi i qeverisë izraelite është publikuar dhe në faqen zyrtare të Ambasadës së Izraelit në Tiranë, ku theksohet se kjo vjen pasi Tel Aviv bombardoi me raketa Iranin.
“Në dritën e zhvillimeve të fundit, misionet izraelite në të gjithë botën do të mbyllen dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen. Një formular online është i disponueshëm për izraelitët jashtë vendit, për të raportuar vendndodhjen dhe statusin e tyre aktual. Ju lutemi plotësojeni atë për të ndihmuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të qëndrojë e përditësuar”.
Më tej, ambasada jep një udhëzim me 6 sugjerime apo masa emergjence për qytetarët, ku mes të tjerash ju kërkohet të shmangin tubimet apo ngjarjet e lidhura me Izraelin, si dhe të bashkëpunojnë me forcat lokale të sigurisë, nëse ekspozohen ndaj aktivitetit armiqësor.
Gjithashtu, përshkallëzimi i tensionit në Lindjen e Mesme bëri që të anulohen fluturimet mes Shqipërisë dhe Izraelit. Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, janë anuluar dy fluturime nga Tel Aviv drejt Tiranës dhe një fluturim nga Tirana drejt Tel Avivit. Një prej avionëve nga Tel Aviv duhej të mbërrinte në Tiranë në 15:40 dhe tjetri në 16:20, por të dy janë anuluar. Ndërkohë, nga Tirana ishte parashikuar një fluturim në orën 17:20 drejt Tel Avivit, por edhe ai është anuluar.
Nga ana tjetër, ambasada e Shqipërisë në Izrael iu kërkon të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen atje, që të tregohen vigjilentë, ndërsa publikon dhe numrat e emergjencës.
“Qytetarët shqiptarë në Izrael të sigurojnë qëndrimin në zona të sigurta dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Komandës së Frontit të Shtëpisë. Qëndroni të sigurt!” Kontaktet e ambasadës së emergjencës janë: +972544806601 dhe +972 54-9042813.”
Top Channel