
Një tragjedi ajrore e përmasave të frikshme ka goditur Indinë, ku një avion i linjës Air India u rrëzua vetëm sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, duke vrarë 241 nga 242 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bord.
Pak çaste para rrëzimit shkatërrues, kapiteni Sumeet Sabharwal – një pilot me mbi 8,200 orë fluturimi – lëshoi një thirrje emergjente dramatike: “Mayday… pa shtytje, po humbasim fuqinë, të paaftë për ngritje”.
Këto ishin fjalët e fundit të regjistruara nga kabina e pilotit, ndërsa Dreamliner-i Boeing 787-8, i ngarkuar me rreth 90 ton karburant për fluturimin drejt Londrës, u përplas në një zonë të banuar vetëm 1.5 milje pas pistës.
Mes një skene apokaliptike, një burrë britanik, Viswashkumar Ramesh, arriti të mbijetojë. Ai eci i vetëm përmes rrënojave, me trupat e pasagjerëve dhe banorëve të djegur përreth tij. Rreth 50 viktima janë raportuar edhe nga toka, kryesisht mjekë dhe studentë që ndodheshin në mensën e Kolegjit Mjekësor BJ – godinë që u godit drejtpërdrejt nga avioni në flakë.
Ndërsa ekipet ndërkombëtare vijojnë kërkimin për kutinë e dytë të zezë, disa ekspertë kanë ngritur alarmin për një detaj teknik të pazakontë. Sipas analistëve të aviacionit, flapsat (fletët ndihmëse të krahëve) nuk dukeshin të vendosura siç duhet në pamjet video, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në paaftësinë e avionit për të marrë lartësi.
Terry Tozer, ish-pilot dhe autor i librit Pse rrëzohen avionët, deklaroi: “Ky mund të jetë një nga shpjegimet më të logjikshme për një avion që është projektuar të funksionojë në kushte ekstreme, por që fundoset kështu menjëherë pas ngritjes.”
Ndërsa disa flasin për goditje të mundshme me zogj në motorë, që mund të kenë shkaktuar humbjen e menjëhershme të shtytjes, të tjerë theksojnë mungesën e flakëve ose tymit në pamjet video – element që zakonisht shfaqen në raste goditjesh me zogj.
Avioni ishte kontrolluar në mars dhe kishte kaluar testet teknike. Por tashmë, me katastrofën që ka marrë përmasa globale, Boeing dhe autoritetet e aviacionit janë nën presion për të zbardhur të vërtetën.
Në aeroportin e Ahmedabadit, familjarët e viktimave kërkojnë përgjigje mes lotësh, ndërsa India përballet me aksidentin ajror më të rëndë të dekadës. Shumë e krahasojnë këtë tragjedi me katastrofën e Lockerbie në 1988.
Top Channel