
E gjithë bota po reagon ndaj sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, me disa që shprehin shqetësim dhe të tjerë që e kritikojnë këtë veprim.
SHBA shprehet se nuk është e përfshirë në sulmet e Izraelit, ndërsa Britania bën thirrje për uljen e tensioneve.
Reagimet:
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se SHBA-të nuk ishin të përfshira në sulmet ajrore të Izraelit , duke shtuar në një deklaratë se “prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha se “agresioni flagrant izraelit” minon “sovranitetin dhe sigurinë e Iranit dhe përbën një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, tha se sulmet e Izraelit “kishin në shënjestër të gjitha përpjekjet dhe iniciativat e vazhdueshme drejt stabilitetit në rajon”. Kryeministri Naëaf Salam e quajti sulmin një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit iranian”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë tha se vendi po “monitoronte nga afër situatën në zhvillim, duke përfshirë raportet që lidhen me sulmet ndaj centraleve bërthamore” dhe u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin. Ai tha se India kishte marrëdhënie “të ngushta dhe miqësore” si me Izraelin ashtu edhe me Iranin.
Sulltanati i Omanit e quajti sulmin “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje të hapur të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, tha se “Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë përparësi dhe ne po angazhojmë partnerë për të ulur tensionet”.
Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se dënon sulmet e Izraelit, të cilat “shpërfillin qartë Kartën e OKB-së dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Pakistani qëndron në solidaritet të vendosur me popullin e Iranit.”
Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit i quajti sulmet një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’u japë fund këtyre shkeljeve izraelite”.
Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të “marrë masa urgjente dhe të nevojshme për të arritur një armëpushim”.
Ambasada e Kinës në Iran e quajti situatën në Iran “të rëndë dhe komplekse”, duke u bërë thirrje qytetarëve kinezë në vend të rrisin masat e tyre të sigurisë.
Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, paralajmëroi se “rreziku i llogaritjeve të gabuara është i lartë”.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Ëong, tha se Canberra ishte “e alarmuar” nga përshkallëzimi. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve që të japin përparësi dialogut dhe diplomacisë, duke thënë: “Kjo rrezikon të destabilizojë më tej një rajon që është tashmë i paqëndrueshëm.”
Top Channel