Anija më e madhe e luftës në Korenë e Veriut kthehet në det, Kim Jong Un paralajmëron armiqtë

13/06/2025 09:36

Koreja e Veriut ka rilançuar me sukses shkatërruesin e saj të ri detar 5,000 tonësh, pak më pak se një muaj pasi anija u përmbys gjatë tentativës së parë për lëshim, njoftojnë mediat shtetërore.

Udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, i shoqëruar nga vajza e tij Kim Ju Ae, mbikëqyri lëshimin e së martës në Portin Rajin, në veri të vendit. Mediat shtetërore publikuan imazhe nga ceremonia, ndërsa theksuan se anija është restauruar plotësisht.

Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë po vënë në dyshim cilësinë e riparimeve, duke pasur parasysh ritmin e shpejtë të rilançimit, shkruan BBC.

Dështimi i lëshimit në maj shkaktoi reagime të ashpra nga Kim, i cili urdhëroi riparime të menjëhershme. Si pasojë e incidentit, të paktën katër zyrtarë janë arrestuar – tre prej tyre nga kantieri detar dhe një zyrtar i lartë.

Anija në fjalë është një nga dy shkatërruesit detarë të rinj që Pheniani ka ndërtuar gjatë vitit të fundit dhe konsiderohet si më e madhja në flotën e Koresë së Veriut. Në teori, ajo është e aftë të lëshojë armë bërthamore.

Kim e ka përfshirë fuqizimin e marinës bërthamore në prioritetet kryesore ushtarake të vendit dhe ka paralajmëruar ndërtimin e dy shkatërruesve të tjerë të ngjashëm brenda vitit të ardhshëm.

Duke folur në ceremoninë e rilançimit, Kim u shpreh se dështimi fillestar nuk e ka penguar aspak programin e modernizimit ushtarak të vendit. “Së shpejti, armiqtë do të përjetojnë sa provokuese dhe e pakëndshme është të ulesh dhe të shikosh anijet e një armiku duke u endur në skajet e ujërave sovrane,” tha ai, sipas agjencisë KCNA.

Top Channel