
Vrasja e të miturit Martin Cani 8 muaj më parë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë tronditi mbarë opinionin publik. Ngjarja solli reagime të forta për zbardhje të saj dhe reflektim për brezin e ri që po rritet.
Tetë muaj më pas një video e publikuar në 24 orët e fundit nga gazetari Eraldo Harlicaj ndau në dy pjesë opinionin publik. Në seancën e sotme dëshmuan katër të mitur dhe dy të rritur si dëshmitarë të rastësishëm.
Gazetarja Anila Hoxha tregon në Top Story bisedën e kryer me gazetarin Harlicaj pas publikimit të videos dhe gjithashtu vendimin e Prokurorisë së Tiranës për këtë situatë.
“Precedenti i zbulimit të akteve dhe nisjes së hetimeve, kur një gazetar publikon të dhëna nga një dosje hetimore, është i rrezikshëm për mjedisin mediatik dhe punonjësit e mediave.
Nuk është fiks si rasti ‘Qyno’… Precedenti juridik është thuajse i ngjashëm, sepse dhe në rastin ‘Qyno’ gjykata pretendonte që mos të publikoheshin akte, Qyno i shkoi deri në fund, publikoi të dhëna dhe u kontrollua banesa e tij e pati më pas masa. Prokuroria shqiptare thotë që do hetojë se kush e nxori sekretin dhe nuk do hetojë atë që kishte për detyrë të ruante sekretin. Është shuma paradoksale. Kjo sjell frikësim të gazetarëve dhe është e pazakontë.
Do ndaj një moment, pasi u publikua video, Eraldo më telefonoi dhe ishte shumë i mërzitur. Më kërkoi një mendim dhe fjalia ishte: ‘A kam gabuar që e nxora?’. I thashë: ‘Ky është një vendim i yti personal dhe profesional, dhe vetëm ti e di çfarë po hulumton. Je duke ngritur pikëpyetje për një person tjetër që nuk ishte aty’. Gazetari e di se ku po e shtyn historinë.
Janë disa parime, respektimi i zisë. Duhet të ketë kujdes kur ka fëmijë etj. Kur është vrarë Klodian Rasha, ne publikuam videon, me një kujdes të jashtëzakonshëm u fshi çdo pamje dhe ne ishim të qartë çfarë po bënim. Reagimi ishte akuzues. Njerëz që shokoheshin, por ka shumë rëndësi qëllimi. Nuk besoj që Eraldo e ka publikuar videon për efektin ‘click-by’. Besoj se ka një qëllim në sensin e investigimit që po kryen”, u shpreh gazetarja Hoxha.
Top Channel