“Mendoi se do ta mundte sëmundjen…”/ Vajza e Leka Bungos flet për TCH: E deshi jetën dhe luftoi deri në fund

11/06/2025 19:42

Mes dhimbjes për humbjen e madhe, vajza e Leka Bungos, Alba, është shprehur se regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur, “iku nga kjo jetë duke punuar”.

Në një intervistë për gazetaren e Top Channel Sara Hila, vajza e regjisorit tregon se deri në momentet e fundit, Leka Bungo besonte se do e fitonte betejën me sëmundjen e rëndë.

“Për ne është dhimbja më e madhe që kemi kaluar ndonjëherë. E donte punën, e donte artin, e kishte shumë të shenjtë. Iku duke punuar. Ishte dashuria më e madhe e tij, dha çdo gjë.  

Pasioni ishte i madh. Lufta ishte e madhe, e shkurtër por u duk shumë e gjatë.. Kjo sëmundje nuk fal artistë të mëdhenj, nuk fal asnjë qenie njerëzore. Kjo sëmundje nuk njeh emra. Leka Bungo nuk pati pengje. Ishte ndër vetmit që jetoi ashtu si deshi, si diti, si e meritoi,. Dha maksimumin dhe mori maksimumin nga jeta.

Ai nuk e besoi asnjëherë se nuk do jetonte, mendoi se do ta mundte sëmundjen dhe nuk la asnjë amanet. Ishte shumë luftarak, e donte jetën. Fatkeqësi, humbje e jashtëzakonshme”, u shpreh vajza e Leka Bungos, Alba Bungo.

Top Channel