
Shqipëria shënon një tjetër hap me rëndësi në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian fton vendin tonë të hapë negociatat për disa kapituj të grupkapitullit 4 të procesit të anëtarësimit në bllokun evropian.
Këtë të mërkurë, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi letrën Shqipërisë, ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
“Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të BE-së”, thuhet në njoftim.
Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Kapitulli 14, i cili trajton politikën e transportit, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore; Kapitulli 15 lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji; Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane; Ndërsa Kapitulli 27 vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së.
Qeveria shqiptare thekson se përmes negociatave për këta kapituj, shteti do të ndërmarrë hapa konkretë drejt “ndërtimit të rrugëve më të sigurta dhe moderne, përmirësimit të ndërlidhjes rajonale dhe evropiane, garantimit të furnizimit me energji të pastër dhe të përballueshme, si dhe mbrojtjes së mjedisit për gjeneratat e ardhshme”.
Shqipëria deri më tani ka hapur gupkapitullin e “Themeloreve”, “Marrëdhëniet me jashtë”, “Tregun e brendshëm”, “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”. Tashmë pritet të hapet “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” dhe mbetet “Bujqësisë dhe kohezioni”. Vendi ynë aspiron të mbyllë negociatat brenda 2027-ës.
Top Channel