
Të gjitha kutitë e Diasporës për qarkun Durrës do t’i nënshtrohen filtrit të rinumërimit me kërkesë të Partisë Demokratike.
Një muaj nga zgjedhjet e 11 majit, dy anëtarët e KAS, Ledio Braho dhe Elvis Ccefa, i dhanë dritën jeshile edhe hapjes së 60% të kutive të votimit brenda vendit, përfshirë edhe kutitë e kërkuara nga kandidati Aulon Kalaja.
VENDIMI I KAS: “Të hapen të gjitha kutitë e KZAZ 21 dhe 22 të qarkut Durrës, po ashtu edhe 126 kuti të tjera të renditura në materialin e paraqitur nga subjekti ankimues PD-ASHM. Po për qarkun Durrës, dy anëtarët e KAS vendosën që të hapen edhe kutitë e votave të Diasporës, sipas kërkesës së PD-ASHM. Po ashtu, me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, u vendos që të hapen edhe 60 kuti sipas kërkesës së P.L.L”.
Para se të dilnin në këtë vendim, dy nga tre anëtarët e KAS dëgjuan jo vetëm juristin e Partisë Demokratike, por edhe përfaqësuesin ligjor të zotit Kalaja, i cili paraqiti prova me video se si votat ndaj klientit të tij ishin trafikuar te kandidati Arjan Ndoja.
“Procesi i rinumërimit për qarkun Durrës pritet të zhvillohet në pallatin e sportit “Farie Hoti”, aty ku javën e ardhshme do të lexohen edhe votat e qarqeve Tiranë dhe Fier”.
“Të hënën ose të martën nis rinumërimi në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”. E gjithë procedura për qarkun e Tiranës dhe të Fierit do të marrë ndërmjet 18–20 ditë”, tha Celibashi.
Ankimimet dhe vendimmarrjet për rinumërim pritet që të shtyjnë procesin e certifikimit të zgjedhjeve në mesin e muajit gusht. Demokratët nuk kanë besim te numëruesit e tyre, duke ia lënë në dorë stafit të KQZ procesin e rinumërimit.
“24 deri në 25 tavolina me nga dy numërues nga stafi i KQZ. Duke marrë parasysh dhe ankimimet, procesi zgjedhor nuk mbyllet para mesit të gushtit”, shtoi Celibashi.
Më herët, pas dyshimeve të demokratëve se vota e Diasporës së Beratit ishte plotësuar nga e njëjta dorë, u hap një kuti për këtë qark, por dyshimet e juristit të Partisë Demokratike, Franci Nuri, se 35 vota të shënuara për Partinë Socialiste ishin të ngjashme, duket se nuk bindën shumë anëtarët e KAS.
Top Channel