Kryetarja e bashkisë së Los Angelesit akuzon autoritetet e emigracionit për protestat, Bass: Bastisjet ndaj emigrantëve ishin shkëndija e kaosit

09/06/2025 18:02

Kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass tha të hënën se bastisjet në vendet e punës të imigracionit në qytet shkaktuan protesta gjithnjë e më të dhunshme gjatë fundjavës.

“Nëse e kthen kohën pas tek dita e premte, nëse bastisjet e autoriteteve të emigracionit nuk do të kishin ndodhur këtu, nuk do të kishim pasur çrregullimin që ndodhi mbrëmë”, tha Bass për CNN.

Autoriteti i Imigracionit dhe Doganave (ICE) nuk i njoftoi zyrtarët e qytetit se bastisjet do të ndodhnin, duke e bërë të vështirë për ta që t’u përgjigjen shpejt protestave, tha ajo.

“Nuk e dimë se ku dhe kur do të jenë bastisjet e ardhshme. Ky është shqetësimi ynë sepse njerëzit në këtë qytet kanë një rrjet reagimi të shpejtë. Nëse shohin ICE, dalin dhe protestojnë, dhe kjo është thjesht një recetë për kaos që është krejtësisht i panevojshëm. Asgjë nuk po ndodhte këtu. Los Angeles ishte i qetë para të premtes”, u shpreh Bass.

Protestat e fundjavës rezultuan në vandalizëm, makina të djegura dhe dhjetëra arrestime nga LAPD, por kryebashkiakja theksoi se paligjshmëria ishte e izoluar në një zonë të vogël të Los Angeles.

“Këto nuk janë trazira civile në të gjithë qytetin që po ndodhin në Los Angeles. Disa rrugë në qendër të qytetit, duken të tmerrshme. Njerëzit kryen krime. Është absolutisht e papranueshme dhe ata njerëz që i vunë zjarrin makinave ose kryen forma të tjera vandalizmi do të kërkohen të arrestohen dhe të ndiqen penalisht”, përfundoi kryebashkiakja.

Top Channel