
Dy anglezë duket se nuk kishin ardhur për pushime në Shqipëri, por për ‘biznes’ me shitje drogën.
Policia thotë se janë vënë në pranga dy shtetas, të cilëve iu gjetën drogat e forta në dhomën ku qëndronin në Dhërmi, si dhe në automjetin e tyre, së bashku me një shumë parash prej 6 185 eurosh dhe 720 paundësh, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Nga operacioni policor i koduar “Cocktail”.u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj, lindur dhe banues në Londër, J. B., 34 vjeç, dhe J. C., 33 vjeç, të cilët qëndronin të akomoduar në fshatin Dhërmi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e tyre dhe në automjetin tip “Mitsubishi”, në përdorim të tyre, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 52 doza me lëndë narkotike të llojit MDMA, 51 doza me lëndë narkotike të llojit Ketaminë dhe 120 kokrra Ekstazi.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i shisnin dozat e lëndëve narkotike në ambientet e argëtimit përgjatë vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel