Notat e Top Channel / Strakosha bën një kryevepër, Broja larg formës. Shehu surpriza, por Sylvinho vonoi Dakun

08/06/2025 10:46

Pas barazimit Shqipëri-Serbi 0-0, Top Channel ju sjell vlerësimet e kuqezinjve për paraqitjen e tyre në duelin e së shtunës. Ja notat e tyre:

Strakosha 7 – Pritja e tij në minutën e 53-të ishte thjesht spektakolare. Mitroviç u bë gati të festonte me atë devijim dinak të topit, por gardiani kuqezi u tregua fenomenal. Sa për pjesën tjetër, gjithçka brenda “llogarive”.

Hysaj 7.5 – Ndoshta ndeshja më e mirë me kuqezinjtë. Shtyn përpara, mbron mirë, fiton penallti dhe nuk bën asnjë gabim. Lideri që i ka munguar shpeshherë krahut të djathtë, por edhe skuadrës në tërësi. I shkëlqyer.

Ajeti 7 – Flirton me golin në pjesën e dytë, por devijimi nuk ishte i duhuri në atë goditje me kokë. Përballon si duhet fizikisht serbët, lufton mirë dhe mbulon hapësirat që mbeten pas. Tregohet i vëmendshëm sa herë Serbia zbret me shumë forca.

Gjimshiti 7 – Një ndeshje prej lideri që për pak u kushtëzua nga ai karton i verdhë në minutën e 18-të. I vetmi gabim që bëri dhe e korrigjoi duke u ndëshkuar. Jo fort i kthjellët edhe te goditja e Mitroviç në minutën e 53-të, por për fat mendoi Strakosha.

Mitaj 7 – Gjynah që ky djalosh ende nuk luan në një nga kampionatet e mëdha të Europës. Teknikisht i shkëlqyer, por kombinimi me Hoxhën do ende punë për t’u kolauduar. E nis disi i ndrojtur, por pastaj rikthehet në normalitet.

Shehu 7.5 – Gjysmë note me hatër për shkak të një qetësie olimpike që ofron në një rol kyç. Rrëmben topa, luan shpejt, vrapon sa për tre. Sylvinho guxoi sërish me të dhe ai ia shpërbleu. (Nga min 85′ Ramadani – Pa notë. Pak minuta për vlerësim, ndonëse qartazi dha më të mirën sa ishte në fushë.)

Laçi 7 – E nis si mbështetës i sulmit, por ai luan kudo. Entuziazëm, dëshirë për të shtyrë përpara, por jo kthjelltësinë për të bërë diferencën në momentin final. Disi i nxituar sa herë është afër portës rivale.

Asllani 7 – Regjisori e nis disi i tërhequr dhe me shumë “studim” ndeshjen, por pastaj fillon gradualisht të tregojë potencialin dhe prish ekuilibrat e serbëve në mesfushë. Diagonale për kornizë, dyluftime të ashpra dhe një vizion loje që i fut serbët në panik.

Hoxha 6.5 – Shumë dëshirë, por pak efikasitet. Dublohet gjithnjë ashpër, por edhe ai nuk e ka qejf lojën e thjeshtë. Vonon disi pasin final dhe nuk ka shënjestrën e duhur kur tenton vetë. Lodhja e sezonit të gjatë bëri të vetën në një ndeshje plot emocion. (Nga min 64′ Bajrami 6.5 – Humb një rast të shkëlqyer, por i jep tjetër ritëm lojës. Befasi ta shihje ta niste ndeshjen në stol.)

Broja 6 – Vetëm dy inkursione, tre topa të humbur çuditshëm dhe rrezikshëm… Dukshëm nuk është ylli që presim të shohim, sepse edhe dëmtimet kanë bërë të vetat, por ndoshta edhe pozicioni nuk i përshtatet si duhet. Larg formës më të mirë. (Nga min 76′ Uzuni 6.5 – I jep ritëm tjetër lojës dhe ndryshon ekuilibrat në fazën sulmuese, por pak i mbështetur si gjithmonë.)

Manaj 5.5 – Gjysmë note të humbur për atë penallti që mund të na kushtojë shumë në fund të edicionit. Luftoi, u përplas, por me skuadra kaq fizike e ka pasur të vështirë të bëjë diferencën. (Nga min 64′ Daku 7 – Hyn si dem i tërbuar dhe përplaset me këdo që i del përpara. I jep frymëmarrje sulmit, driblon deri në teprim pranë zonës, por pa pasur qartësinë të godasë ose të shërbejë si duhet. Ndoshta duhej më herët në fushë.)

Trajneri Sylvinho 6.5 – I guximshëm për të lënë jashtë Bajramin dhe Ramadanin, por fusha i dha të drejtë. Skuadra funksionon, e dominon Serbinë në shumicën e lojës, por gjuan shumë pak në portë. Ndoshta Daku dhe Uzuni duheshin më herët. Jo edhe aq i sinqertë kur këmbëngul se Manaj kishte “grip”, ndërkohë që thuhet se ka qenë i helmuar nga ushqimi, ndërsa edhe këmbëngulja për lushnjarin në një ndeshje si kjo mund të jetë një tjetër peng.

Top Channel