
Nata e apokalipsit. Muzgu i Zotave. Fundi i botës dhe rilindja.
Në mitologjinë nordike ka mijëra legjenda që duket sikur janë shkruar për këtë Itali (pa përfshirë Zotin). Edhe këtu shpresohet për një rilindje, nëse do të vijë ndonjëherë.
Kush e di nëse ekziston ndonjë legjendë për turpin? Nuk ka metaforë tjetër për të përshkruar “Azzurrët” e turpëruar, të shkatërruar, të zhdukur nga një Norvegji që fluturon drejt Kupës së Botës. “Norvegjia më e fortë e të gjitha kohërave,” paralajmëroi njeriu “i shenjtë”, Drillo Olsen. Përballë njërës nga Italitë më të dobëta në histori.
Tre gola vetëm në pjesën e parë nga treshja fantastike Sørloth – Haaland – Nusa dhe sërish rikthehen makthet: një tjetër PSG – Inter. Në pjesën e dytë, edhe Vikingët ngadalësojnë ritmin dhe kufizohen në një goditje që përplaset në shtyllën e Donnarummas. Por tre apo katër gola, në këtë pikë, nuk bëjnë më asnjë ndryshim.
Të paktën në vitet 2018 dhe 2022 Italia luftoi deri në fund: keq, por ishte ende “në lojë”. Këtë herë s’mund të bëjë më gabime nëse do të mbajë gjallë shpresat për eliminatoret. Duhet të kuptojë: cilët lojtarë, cilin trajner, cilën federatë. Ndoshta Oslo do të mbahet mend si Eboli, ku Italia ndaloi.
Asgjë. Nuk ka asgjë për të shpëtuar. Ose ndoshta për të mos qenë krejtësisht demagogë , pak nga karakteri dhe guximi i Coppolas, që debutoi në natën që kishte ëndërruar që fëmijë, mes ankthesh. Dhe pak nga Lucca, i cili pas minutës së 90-të tentoi me kokë ndaj portierit të papunë Nyland. Një goditje. Asgjë më shumë…
Identiteti i dyfishtë i kësaj Italie është tashmë i njohur: momente të mira, të rralla dhe të shkurtra, kur hyn me personalitet, sulmon dhe luan me kokën lart dhe më pas dëshpërimi, që bëhet gjithnjë e më i shpeshtë, kur ia dorëzon lojën kundërshtarit, fillon të vetëpërçmohet dhe bie në depresion.
Faza mbrojtëse? E çmendur: pozicionime të gabuara, pasime frikacake, mbrojtje thuajse inekzistente.
Faza sulmuese? Edhe më keq. Pasi kalon mesfushën, kjo skuadër thjesht nuk ekziston më. Asgjë.
Norvegjia e shkatërroi në gjithçka: në vrapim, në teknikë, në taktikë, në strategji.
Zhgënjim. Të paktën Spalletti, në prag të ndeshjes, pati ndershmërinë të mos fshihej pas mungesave, fund-sezonit apo justifikimeve të tjera. Po, mungonin pjesë të rëndësishme, por nëse katër mungesa janë të mjaftueshme për ti shkatërruar, atëherë çfarë Italie është kjo?
Dhe pastaj, lodhja: Haaland dhe Ødegaard vijnë nga Premier League, Nusa nga Bundesliga, Sørloth nga La Liga…. Duhet të supozojmë se sezonet e tyre ishin më të lehta?
Në fund, Solbakken mori hak për natën tonë më të keqe, duke i dhënë një leksion Spallettit për sistemin sulmues: me formacionin 4-3-3 dhe tre sulmues të frikshëm, që të gjithë punonin dhe riktheheshin në mbrojtje. Sidomos Sørloth, që ndonjëherë dukej si mbrojtës krahu, si një Mandžukić modern. Dhe Italia nga ana tjeter, sërish e ngujuar në kërkimin e ekuilibrit mes 3-5-2 dhe 3-5-1-1…
Top Channel