
“Ndeshja kundër Moldavisë do të jetë e fundit për mua, pastaj do të jap dakordësinë për mbylljen e kontratës. E di që kam shkaktuar dëme në lëvizjen futbollistike për shkak të rezultateve negative”, këto ishin fjalët e Spallettit në konferencën e tij të fundit si trajner i Italisë.
Luciano Spalletti nuk është më trajneri i Italisë. Ai do të jetë në pankinë nesër mbrëma kundër Moldavisë dhe më pas do të largohet nga drejtimi i ekipit kombëtar.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai, dhe jo Federata e Futbollit, me lot në sy, duke ndërprerë konferencën për shtyp para ndeshjes me Moldavinë në Coverciano:
“Mbrëmë isha me presidentin për ca kohë, siç ndodh gjatë grumbullimeve, dhe ai më komunikoi se do të shkarkohem nga detyra e trajnerit të Kombëtares. Më vjen keq. Unë nuk kisha ndërmend të largohesha dhe do të kisha preferuar të vazhdoja punën time si gjithmonë në karrierë. Por, është një shkarkim dhe e pranoj. Duhet të pranoj rrugëtimin, rezultatet, dhe gatishmërinë e tij ndaj meje. Unë gjithmonë e kam parë këtë rol si një shërbim ndaj atdheut dhe do të ndihmoj në çdo mënyrë të mundshme të ardhmen e kombëtares. Domethënë, pasnesër do të nënshkruaj zgjidhjen e kontratës: do të paguhem deri nesër, e nga pasnesër jo më.
“Gjithmonë kam thënë se lojtarët e mi janë të fortë dhe e konfirmoj këtë. Nga Federata kam marrë gjithë mbështetjen e nevojshme për zgjedhjet që doja të bëja, por rezultatet nuk erdhën. Do të kisha vazhduar në këtë rrugë. Të fitosh dhe të bindësh nesër do të ishte shumë e rëndësishme për të hapur më së miri ciklin për atë që do të më zëvendësojë. E dua këtë fanellë dhe këta lojtarë. Nesër do t’u kërkoj të tregojnë atë që gjithmonë u kam kërkuar, edhe pse gjatë drejtimit tim nuk arrita t’i nxjerr më të mirën nga të gjithë. Kam parë shumë lojtarë në formë të dobët gjatë kohës sime”, u shpreh Spalletti.
“Më ka dhembur që nuk arrita të nxjerr më të mirën nga të gjithë, që nuk arrita nivelin e cilësisë së lojës që doja. Jam i zhgënjyer me veten. Kur pranova kombëtaren, e dija që do të kishte momente të vështira, gjëra për të rregulluar, për t’u bërë një trup i vetëm me lojtarët. Nuk ja dola, sepse edhe në ndeshjen e para dy netëve, ju gazetarët ishit edhe shumë “të butë” në komentet tuaja, ishit të sjellshëm ndaj meje… Kam krijuar probleme në lëvizjen futbollistike me rezultatet e mia. Mendoja ndryshe, dhe tani jam i zhgënjyer me veten”, tha tekniku italian
Kur u pyet se çfarë do të bënte ndryshe nëse do mund të kthehej pas, Spalletti u përgjigj: “Nuk e di. Duhet të marr parasysh rezultatet, atë që ka treguar skuadra dhe isha i bindur që nuk do të ishte një rrugë e lehtë, por që do të shkoja në Botëror. Edhe tani jam i bindur për këtë dhe ia thashë presidentit edhe mbrëmë. Nuk më shembet bota nëse humbas një ndeshje, sepse janë vënë disa kufij, kam pranuar situatën dhe kam njohur thellësisht lojtarët. Fatkeqësisht, këta lojtarë nuk dhanë maksimumin dhe shpresoj ta tregojnë që nesër. Të mendosh për të kaluarën nuk ndihmon, duhet menduar për të ardhmen, sepse e kaluara nuk mund të ndryshohet. Tani duhet të luajmë një ndeshje të denjë për atë që jemi, për fanellën që mbajmë. Nuk dua ta mbyll me figurën që dhamë mbrëmjen e kaluar, por me një fitore të bukur. U kam thënë atyre që janë njerëzit e duhur për ta çuar përpara këtë ‘rregull’ për të shkuar në Botëror, edhe pse ndonjëherë ndodhin përjashtime sepse mendohet se je më i mirë se të tjerët, gjë që nuk ndodhi. Duhet të ketë një vetëdijesim. Nëse ata bëjnë një paraqitje të mirë dhe vazhdojnë të thirren në kombëtare, do të thotë që unë kam zgjedhur grupin e duhur.”
Top Channel