DEA Film Festival rikthehet në kryeqytet, edicioni i 12-të sjell 34 filma nga 20 vende të botës

08/06/2025 20:22

Të hënën nis në kryeqytet edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR.

Nga data 9 deri më 13 qershor, do të shfaqen 34 filma nga 20 vende të botës, për të ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesionale evropiane me publikun, studentët dhe kineastët vendas.

Duke qenë se shoqëria shqiptare nuk ka kinema si institucion, Festivali ka ardhur në jetë si një mision për ta kthyer publikun te kinemaja“, u shpreh drejtori i Festivalit, Edmond Topi.

Në seksionin e filmave me metrazh të gjatë ofrohen 7 filma, në seksionin e filmit me metrazh të shkurtër ofrohen 14 filma dhe ne seksionin e filmit studentor ofrohen 13 filma. Motoja e këtij viti është ‘Kinemaja si integritet’, besojmë se integriteti në art dhe kulturë si qasje është shumë i rëndësishëm“, tregoi drejtoresha artistike, Mirela Oktrova.

Mes prodhimeve kinematografike, do të shfaqet premierë për publikin filmi “Vdekja le të presë”, një homazh për ikonën e kinematografisë, Margarita Xhepa.

Ceremonia zyrtare e Hapjes si edhe Mbrëmja Gala e Ndarjes së Çmimeve do të zhvillohen në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Ndërsa pjesë e Akademisë do të jenë Departamenti i Filmit dhe Televizionit në Universitetin e Arteve, Departamenti i Regjisë së Filmit dhe Televizionit në Universitetin e Prishtinës dhe Departamenti i Filmit dhe Videove në Universitetin e Kroacisë.

Pjesë e e aktivitetit do të jenë edhe tryezat që do të trajtojnë temat aktuale të zhvillimit të kinemasë në rajon dhe sfidat e formimit profesional të kineastëve të rinj.

Top Channel