
Manastiri i Ardenicës në Lushnjë, një ndër pasuritë e mëdha kulturore të vendit, po i nënshtrohet një rikonstruksioni, për shkak të dëmtimeve të pësuara ndër vite.
Prej ditësh, ka nisur ndërhyrja në pjesët e dëmtuara të manastirit, në mure, kolonat mbajtëse, kalldrëme dhe pjesë të çatisë.
Pavarësisht punimeve, grupet e turistëve në monumentin kulturor nuk kanë të ndaluar çdo ditë. Turistët nga Izraeli e cilësojnë shumë mbresëlënëse vizitën në këtë manastir.
“Kisha është shumë e vjetër, ne në Izrael kemi manastire më të vjetra, por është tepër impresionuese të shohësh vendin ku Skënderbeu kurorëzoi martesën me gruan e tij. Është hera e parë në Shqipëri dhe jemi shumë të impresionuar nga ky udhëtim.”
Josefa Hurviz, e cila udhëheq grupin e turistëve nga Izraeli, shprehet se ka qenë në Shqipëri për herë të parë para 10 viteve.
“Mua më pëlqejnë shumë manastiret, sepse jam hebre. Ajo që më pëlqen më shumë në Shqipëri janë njerëzit. Ju keni çdo bukuri natyrore, kulinari, të cilat gjenden në çdo vend, por njerëzit këtu janë shumë mikpritës dhe të dashur. Më pëlqen shumë ky vend.”
Operatorët turistikë shprehen se ky vit pritet të ketë më shumë turistë, madje edhe nga vende shumë të largëta si Argjentina, Kili, Australia dhe Uruguaji.
Manastiri i Ardenicës përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri i vajit, furra, stalla, etj., ndërsa në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”.
Top Channel