
Menaxhimi joefektiv i të ardhurave dhe shpenzimeve nga institucionet publike ka ndikuar negativisht në buxhetin e shtetit.
Në 4 muajt e parë të vitit, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë dhënë 14 rekomandime mbi gjetje me efekt negativ 1.04 miliardë lekë apo mbi 10 milionë euro.
Nga shpërdorimi i fondeve publike e deri te mungesa e kontrolleve tatimore janë evidentuar në raport si shkaqe, sipas KLSH.
Kontrolli i Lartë i Shtetit: “Dëmi ekonomik vlerësohet në 4,973 mijë lekë, menaxhimi joefektiv i fondeve në vlerën 994,370 mijë lekë dhe 46,746 mijë lekë në mangësi në aktivitetin kontrollues tatimor/doganor.”
Më së shumti, keqmenaxhimi vërehet në të ardhurat e qeverisjes vendore për çështje që lidhen me detyrime për taksat dhe tarifat vendore, mostarifim/përllogaritje të gabuar/mosaplikim të kamatvonesave për përdorimin e pronave të bashkisë nga subjektet private, por edhe mungesë të likuidimit të shpenzimeve.
Nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Korporata e Investimeve Shqiptare, Doganat e deri te institucionet arsimore janë disa nga subjektet e evidentuara me efekte negative në buxhetin e shtetit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit: “KLSH, për periudhën janar – prill 2025, ka konstatuar mangësi në aktivitetin kontrollues tatimor me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave tatimore & doganore, si detyrime dhe penalitete të vlerësuara në vlerën 46,746 mijë lekë.”
Gjatë periudhës janar-prill 2025, për 16 auditimet e përfunduara, KLSH ka adresuar rekomandime për 73 masa organizative në institucionet publike të audituara, me qëllim marrjen e masave për përmirësimin e situatës.
Top Channel