
Avokati i Jeffrey Epstein, David Schoen, ka mohuar në platformën X (ish-Twitter) që klienti i tij të kishte ndonjë informacion që mund të dëmtonte Donald Trump-in, në një përpjekje për të çaktivizuar “bombën” që Elon Musk hodhi dje në rrjetin e tij social: “Donald Trump është në dosjet e Epstein.
Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike”, shkroi miliarderi me origjinë nga Afrika e Jugut, në kulmin e përplasjes së ashpër mes presidentit amerikan dhe njeriut më të pasur në botë, dikur bashkëpunëtor i tij i besuar.
Një ndarje spektakolare, e ndjekur nga një përshkallëzim akuzash, u zhvillua dje në “skenën” e Zyrës Ovale dhe në dy rrjetet sociale në pronësi të dy rivalëve: X dhe Truth.
Schoen nuk është aspak neutral në këtë çështje: ai ka qenë gjithashtu një nga avokatët që përfaqësoi Trump-in gjatë gjyqit të tij të dytë për shkarkim në Senat. Është e njohur që Trump dhe Epstein kanë qenë miq për gati dy dekada, por deri tani nuk kanë dalë prova të ndonjë lidhjeje mes Trump-it dhe rrjetit të trafikut seksual të ngritur nga Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë dhe ish-e dashura, Ghislaine Maxwell. Financieri, midis viteve 1994 dhe 2005, rekrutonte vajza, përfshirë edhe të mitura, për marrëdhënie seksuale për veten dhe rrethin e tij të ngushtë me njerëz me pushtet. Musk ka lënë të kuptohet se këto prova ekzistojnë dhe janë fshehur në “dosjet Epstein”, dokumente gjyqësore të mbledhura nga hetuesit kundër Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ndërsa disa prej këtyre dokumenteve janë bërë publike – si regjistrat e fluturimeve të avionit privat të Epstein – të tjerat mbeten të klasifikuara. Disa kanë spekuluar se FBI ka mbajtur dokumente të fshehta për të mbrojtur bashkëpunëtorët me profil të lartë të Epstein, ndonëse përmendja në dokumente nuk përbën domosdoshmërisht provë faji.
Në shkurtin e kaluar, administrata Trump, me nismën e prokurores së përgjithshme Pam Bondi, publikoi rreth njëqind faqe nga “dosjet Epstein”. Megjithë pritshmëritë e mëdha, pothuajse i gjithë materiali ishte ose i njohur më parë ose pak i dobishëm, pasi përmbante shumë pjesë të mbuluara apo të fshira. Që prej asaj kohe nuk janë publikuar më dokumente të tjera. Bondi kishte deklaruar se vonesa ishte e nevojshme për të mbrojtur “viktimat” e hetimeve që ende vazhdojnë. Në janar 2024, një gjykatë federale bëri publike një pjesë tjetër të dokumenteve, por edhe ato nuk përmbanin asnjë listë me emra të fuqishëm të përfshirë në sistemin kriminal të Epstein (përveç atyre që tashmë ishin të njohur, si princi Andrew i Mbretërisë së Bashkuar).
Dosjet kryesore të hetimit janë katër:
“Libri i zi” (Black Book) – një bllok sekret, pra agjenda personale e Epstein-it me qindra emra dhe numra telefoni të figurave me ndikim, përfshirë politikanë, biznesmenë dhe yje të Hollivudit. Hetuesit kanë theksuar se përfshirja në këtë listë nuk nënkupton domosdoshmërisht përfshirje në rrjetin seksual.
Regjistri i fluturimeve – për avionin privat të Epstein, “Lolita Express”, i përdorur për të transportuar mysafirë të shquar drejt pronave të tij, përfshirë edhe një ishull privat në Ishujt e Virgjër.
Dëshmitë – të viktimave dhe bashkëpunëtorëve. Dosjet gjyqësore – të proceseve civile dhe penale kundër Epstein-it dhe Ghislaine Maxwell-it, e dënuar me njëzet vite burg.
Emri i Trump-it ishte përmendur më parë në hetim pasi gjendej në agjendën telefonike, bashkë me numrat celularë të anëtarëve të familjes së tij, përfshirë fëmijët Ivanka, Donald Jr. dhe Eric. Por deri tani nuk ka prova që Trump të ketë udhëtuar ndonjëherë me avionin “Lolita Express”. Në vitet ’90, Trump kishte folur në mënyrë pozitive për miqësinë e tij me Epstein-in, duke kujtuar se të dy kishin pasion për “gra të bukura, edhe të reja”. Më pas, pas arrestimit të financierit në vitin 2019, Trump u distancua prej tij.
Top Channel