Si “Shtrigat e Natës” ndihmuan në mposhtjen e nazistëve/ Ekipi i jashtëzakonshëm i vajzave që fluturonin me aeroplanë druri

06/06/2025 17:57

Një episod i ri i podcast-it “Heronjtë Sekret të Historisë” nga BBC fokusohet te “Shtrigat e Natës”, një grup pilotesh ruse që bombardonin forcat gjermane gjatë errësirës.

Lufta e Dytë Botërore është e mbushur me aq shumë histori të jashtëzakonshme heroizmi, sa që jo të gjitha kanë marrë vëmendjen që meritojnë. Tani, podcast-i i BBC Radio 4 “Heronjtë Sekret të Historisë”, i rrëfyer nga Helena Bonham Carter, synon të tregojë këta heronj të panjohur të luftës.

Gjermanët do t’i quanin këto gra die Nacht Hexen, ose Shtrigat e Natës. Ato ishin një grup elitar pilotësh, navigatorësh, teknikësh dhe mekanikësh, të cilat, të udhëhequra nga pasioni për aviacionin dhe ndjenja e thellë e detyrës, thyen barrierat gjinore. Pjesëtare të skuadrës ishin edhe pilotet e reja dhe shoqet e ngushta Polina Gelman dhe Galya Dokutovich. Të dyja kishin mësuar të fluturonin që në moshë të re – dhe kur, në tetor të vitit 1941, aviatorja e famshme sovjetike Marina Raskova mori urdhrin për të rekrutuar gra në njësi fluturuese femrash, përfshirë edhe Shtrigat e Natës, ato e kapën menjëherë mundësinë.

“Ato ishin me të vërtetë të dhëna pas adrenalinës. Donin të fluturonin, ishin të çmendura pas fluturimit,” thotë historiania Lyuba Vinogradova.

Komandantja e tyre, Raskova, ishte një frymëzim.

“Ajo ishte një yll i kohës së saj. Emri, fotografia, fytyra e saj njiheshin në gjithë vendin. Ishte një model për t’u ndjekur. Ishte një grua që tregoi se gratë janë më se të afta për këtë lloj fluturimi,” thotë Vinogradova.

Shtrigat e Natës u stërvitën pranë lumit Volga në Rusi, dhe iu desh të përmbushnin një trajnim që zakonisht zgjaste tre vjet, për vetëm tre muaj. Gratë u përzgjodhën kryesisht si navigatore, dhe jo si pilote, gjë që fillimisht e zhgënjeu Dokutovich – megjithatë, sapo u ngrit në ajër, ajo ndryshoi mendim dhe u bë më pozitive për këtë rol. Ajo shkroi:
“Tani e kuptoj sa emocionuese është të jesh navigatore! Pasi ke fluturuar pak, ecën si në ëndërr dhe mezi pret të ngjitesh sërish në qiell.”

Për shkak se forcat sovjetike kishin mungesë avionësh, grave iu dhanë avionë druri Po-2, të papërshtatshëm për luftime, pasi zakonisht përdorej për të spërkatur pesticide. Për më tepër, nuk u dhanë as armë, as radio, dhe as parashuta. Për këtë arsye, ato i dhanë përparësi mbajtjes së bombave.

Po-2 nuk mund të gjurmohej nga radarët dhe ishte shumë i vogël për t’u dalluar nga sensorët infra të kuq. Kështu, gratë mund të fluturonin mbi territorin gjerman, të fiknin motorët dhe të rrëshqisnin në ajër – dhe ta hidhnin më lehtë ngarkesën e bombave, pa u zbuluar.

Top Channel