“Revoltë në ferr”, projekti kinematografik që ka nxitur debatin për restaurimet në ish-burgun e Spaçit

06/06/2025 15:53

“Revoltë në ferr” është titulli provizor i projektit kinematografik i Namik Ajazit dhe Visar Zhitit, për të cilin artistët synojnë të nisin punën në sheshxhirim brenda këtij viti në ambientet e ish-Burgut të Spaçit.

Për Top Channel, regjisori tregon se Revolta viti 1973 në Spaç do të jetë në fokus të filmit, për të cilin janë marrë dëshmitë e vetë ish të përndjekurve politikë që ishin pjesë e asaj kryengritjeje.

“Do të kërkojmë të sjellim me realizëm në film të gjithë atë situatë të jashtëzakonshme, atë shtypje, atë shfrytëzim barbar të të dënuarve, që ndonëse nuk ishin të dënuar për punë të dënuar, i çonin të punonin nëpër miniera në një temperaturë që arrinte nëpër fronte pune mbi 50 gradë”, u shpreh Namik Ajazi, regjisor.

Ajazi synon që ky film të mbetet si homazh për të gjithë ata që lanë jetën dhe vuajtën pas telave me gjemba në burgun famëkeq.

“Aktorët do të jetë nga aktorët më të mirë shqiptarë që ne i kemi piketuar me drejtorin e këstit Alfred Trebicka. Është parashikuar të kemi 120 figurantë. Në Revoltën e Spaçit kanë qenë rreth 400 të dënuar, por ne kaq kemi mundësi edhe për arsye të lokacione. Do të jenë efektet speciale ato që duke bërë këtë fazë të parë të punimeve, duke përfituar ne nga kjo fazë e punimeve për ta shndërruar në muze të kujtesës, do ta kthejmë në bazë të efekteve speciale siç ka qenë në ato vite burgu famëkeq i Spaçit”, tha Ajazi.

Për skenat e xhirimit, do të përdoren objektet e restauruara nga faza e parë e projektit të miratuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore, por pikërisht kjo ka shkaktuar një debat të ashpër në publik, për të cilin sot reagoi Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Sjellja e kësaj historie në ekran, me vërtetësi artistike dhe etike, është detyrim moral dhe kulturor, si ndaj të kaluarës, ashtu edhe ndaj brezave që vijnë, thuhet në reagimin zyrtar.

“Vështirësitë e realizimit të këtij projekti filmik janë të mëdha, për shkak të pamundësisë për të rindërtuar kampin-burg në një set, gjendjes tejet të amortizuar të sitit në Spaç, nevojës për xhirime autentike në një ambient që ruan ende gjurmët reale të tragjedisë së atij vendi.”

“Nga ana tjetër projekti i Qeverisë Shqiptare për ta kthyer Spaçin në një Muze të Kujtesës, të hapur e të aksesueshëm për të gjithë, ka nisur prej kohësh. Ish-burgu dhe kampi i punës së detyruar i Spaçit është vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Sipas MEKI-t, plani i menaxhimit, është konceptuar pas një analize të detajuar dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit, përfshirë ish të burgosur politikë, artistë dhe profesionistë të kulturës.

“Qëllimi në lidhje me ndërtesat e ish-burgut është ruajtja e tyre në gjendjen sa më origjinale, duke ndalur përkeqësimin e shpejtë të tyre, duke i ruajtur ato në mënyrë të tillë që të dëshmohen këto tre dekada në të cilat shoqëria shqiptare është përpjekur të reflektojë mbi historinë e saj të fundit. Por degradimi aktual përbën edhe një rrezik eminent për humbje të pakthyeshme të kësaj kujtese”, thuhet në reagimin e ministrrisë.

Sipas Ministrisë, ndërhyrjet janë të menduara me kujdes për ta ruajtur dhe pasuruar atë.

 

Top Channel