“Festivali Bukë e Zemër”! 150 arkitektë nga e gjithë bota mblidhen në Tiranë, Rama: Një “Bajram i shpirtit”, bekim dhe jo rastësi që përkon me këtë ditë të shenjtë

06/06/2025 10:37

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në “Bread & Heart” Festival, një ngjarje e re europiane, që bashkon në Tiranë mbi 150 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët e tyre lokalë dhe të ftuarit e tyre.

Edicioni i parë i festivalit nën moton “Bukë dhe zemër/ Sillni pak kripë ju lutem”, mikson mikëpritjen shqiptare me një ftesë për dialog të hapur dhe një mundësi ndërlidhje mes arkitektëve botërorë dhe atyre shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se ky ‘festival është një Bajram i shpirtit, një akt i hedhjes së hapave përpara’.

Kryeministri Edi Rama: Sot është Bajram, një ditë e shenjtë, festë kombëtare që pritet nga të gjithë shqiptarët pavarësisht besimit të tyre. Është një ditë e rrënjosur në një histori që u përket myslimanëve, të krishterëve, hebrenjve dhe mbi të gjitha kujtesës së përbashkët shpirtërore të njerëzimit. Një histori që rrugëton në kohë, besime dhe gjeografi dhe mbërrin me një rëndësi të patjetërsueshme të asaj ku jemi sot. Të gjithë e dimë, Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para dhe shkëlqime. I tërheq me një gjë më të vështirë, besimi i përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe besimi që mund të mbartet jo vetëm këtu. Diçka plot jetë, e papërsëritshme, diçka e lirë nga komforti i rregulloreve. Ky festival është një Bajram i shpirtit, një akt i hedhjes së hapave përpara. Kjo bërje bashkë e një nisje të re dhe e një dite të shenjtë, mirë a keq, nuk besoj në rastësi. Ju ftoj të gjithëve të ndjeni lidhjen mes kësaj dite dhe kësaj aventure të re, për ta marrë këtë konvergjencë jo si rastësi, por si bekim.

Emrin e festivalit e përshkroi kështu: Jemi këtu për të vënë një bast shumë të fortë, si një katalizator në një shoqëri që duhen rinegociuar marrëdhëniet. Kemi gjetur një emër për hapësirën që kemi nisur të krijojmë, Festivali “Bukë e Zemër”. Kjo shprehje është trinia e shenjtë e Shqipërisë, një kod nderi për të mirëpritur udhëtarë e të huaj, jo më pak se bukë për stomak, kripë për shije e çka ka më rëndësi, zemër.

Top Channel