Besimtarët Myslimanë në Durrës festojnë Kurban Bajramin, lutje, urime dhe mesazhe shprese

06/06/2025 08:11

Edhe në Durrës, besimtarët myslimanë po festojnë Kurban Bajramin, festën që simbolizon dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit.

Që në orët e para të mëngjesit, ata i janë drejtuar Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, por edhe në xhami të tjera pranë vendbanimeve të tyre, për të kryer faljen e kësaj dite të shenjtë.

Gjatë mesazhit të rastit që u përcoll për besimtarët e pranishëm, u theksua rëndësia shpirtërore e kësaj dite duke ftuar besimtarët që të largojnë mendimet, veset e këqija, padrejtësitë ndaj të tjerëve dhe mosmarrëveshjet ndërmjet njerëzve. Një mesazh i veçantë u dha dhe për ata që testohen me varfëri e sëmundje.

Pas faljes, besimtarët kanë shkëmbyer urime dhe përqafime, duke shkëmbyer mesazhe dashurie, paqeje dhe solidariteti. Më pas janë shpërndarë për të vijuar festën në familjet e tyre dhe për të ndarë gëzimin me të afërmit.

Top Channel