Telefonata Trump-Putin, zëdhënësi i Kremlinit: Dy udhëheqësit pranuan se është e domosdoshme të takohen, por…

05/06/2025 14:04

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump patën dje një bisedë telefonike që zgjati një orë e dhjetë minuta, por nuk u arrit asnjë marrëveshje për një takim personal midis tyre.

Pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje specifike, të dyja palët ranë dakord se një takim i tillë është i nevojshëm dhe duhet të përgatitet në mënyrën e duhur.

“Nuk pati marrëveshje për një takim sepse ekziston një mirëkuptim i përbashkët se është i nevojshëm, por duhet të përgatitet në mënyrë adekuate. Nevojiten rezultate konkrete në mënyrë që ato të mund të regjistrohen në nivelin më të lartë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp.

Peskov e përshkroi bisedën midis dy presidentëve si “konstruktive dhe të nevojshme”, duke vënë në dukje se u diskutuan çështje të shumta dhe të rëndësishme. Tema kryesore e komunikimit ishte situata në Ukrainë, teksa presidenti rus informoi homologun e tij amerikan në detaje rreth rezultateve të bisedimeve të Stambollit.

Putin thuhet se komentoi gjithashtu sulmet e fundit, të cilat ia atribuoi “regjimit të Kievit”, të cilin e përshkroi si përgjegjës për aktet terroriste.

“Kievi po sillet si një regjim terrorist”, thuhet se tha putin

Kur u pyet nga gazetarët për mundësinë e pezullimit të negociatave me Ukrainën në rast të sulmeve të reja, Dmitry Peskov e la mundësinë të hapur, duke deklaruar se pala ruse do ta merrte parasysh sjelljen e Kievit.

“Fakti që regjimi i Kievit ka fituar të gjitha karakteristikat e një regjimi terrorist, sigurisht, nuk mund të injorohet në të ardhmen dhe do të merret parasysh në negociatat e ardhshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit.

Dje ishte biseda e katërt telefonike midis Putinit dhe Trump që kur presidenti i SHBA-së mori detyrën, në një kohë kur ekuilibrat diplomatikë po vihen në provë të fortë në hijen e zhvillimeve në frontin ukrainas.

Top Channel