
“Engjëjt” është vepra e autorit Odise Plakut, që ka në qendër të saj një nënë nga Kosova, që nuk ndalon asnjëherë përpjekjet për të zbuluar misterin e zhdukjes të fëmijëve gjatë gjenocidit serb në Kosovë.
Monodrama që u interpretua nga aktorja Vefi Redhi finalizoi Festivalin Flas Shqip, dedikuar veprave dhe problemeve shqiptare.
“U emocionova sepse unë kthehem dhe interpretoj në shqip pas një shkëputjeje shumë të gjatë. Ishte një festival shumë i ngrohtë dhe me aktorë që flasin shqip e që janë nga treva të ndryshme. Dhe nisma të tilla duhet të kemi shumë në Shqipëri, ta duam Teatrin më shumë”, shprehet aktorja.
Pasi shtatë vepra u ngjitën në skenën e Teatrit Zonja e Bujtinës dhe Teatrit Kombëtar, në natën finale u ndanë çmimet nga juria e përbërë nga Bujar Asqeriu, Bujar Kapexhiu dhe Raimonda Bulku.
Sipas organizatorëve, ky festival i shërbeu për të rikthyer vëmendjen te dramaturgjia shqiptare dhe për t’u dhënë mundësi artistëve të rinj.
“Është detyrë e ne të vjetëve që të inkurajojmë të rinjtë sepse teatri ka nevojë për të gjitha moshat”, thotë regjisori Naun Shundi.
“Është e rëndësishme që të zhvillojmë dhe të stimulojmë dramën shqipe duhen të flasim shqip, të trajtojmë sa më shumë problematike shqiptare”, u shpreh aktorja Raimonda Shundi.
Për të krijuar një traditë për interpretët dhe krijuesit e dramës, ky Festivali “Flas Shqip” synon të bëhet një aktivitet i përvitshëm.
Top Channel