
Kancelari gjerman, Friedrich Merz mbërriti në Shtëpinë e Bardhë të enjten pasdite për t’u takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Në shtrëngimin e tyre të zakonshëm të duarve, Donald Trump tha se marrëdhëniet SHBA-Gjermani janë “shumë të mira”, sipas BBC.
Nga ana e tij, kancelari gjerman e filloi fjalimin e tij duke falënderuar Donald Trump për ftesën në Shtëpinë e Bardhë dhe duke thënë se ndihej “shumë i lumtur që ishte këtu”.
“Kemi shumë të përbashkëta”, tha Merz për marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve.
Trump vazhdon duke thënë se të dy vendet “do të arrijnë një marrëveshje të mirë tregtare”.
“Do të varet kryesisht nga BE-ja, por ju keni një rol shumë të madh në të”, i tha Trump kancelarit gjerman.
Lidhur me luftën në Ukrainë, presidenti i SHBA-së i tha kancelarit gjerman se ajo nuk do të kishte shpërthyer kurrë nëse ai do të kishte qenë president në atë kohë.
“Asnjë shans, zero”, theksoi ai, duke shtuar se numri i të vdekurve ishte “shumë më i lartë” sesa raportohet.
Merz, nga ana e tij, e siguroi Trumpin se “të gjithë po kërkojnë masa për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme”.
Me rastin e përvjetorit të zbarkimit në Normandi, Merz deklaroi: “Ky ishte çlirimi i vendit tim nga diktatura naziste.”
“Ju kemi borxh”, ndërsa shtoi se Amerika është përsëri në një pozicion shumë të fortë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
I pyetur nëse duhet të vendosen sanksione ndaj Rusisë, Donald Trump u përgjigj: “Kur të shoh se nuk do të bëjmë një marrëveshje, kur kjo gjë nuk do të ndalet. Kur të shoh se nuk do të ndalet lufta, do të jemi shumë të ashpër. Mund të jetë për të dy vendet. Duhen dy për të kërcyer tango.”
Trump tha më pas se pati një bisedë dy-orëshe me Presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës, tha ai, i dha homologut të tij analogjinë e dy fëmijëve që luftojnë në një park.
“Ndonjëherë është më mirë t’i lejojmë të luftojnë për pak kohë”, tha ai.
Trump tha se është e vështirë të ndalet lufta sepse ka “shumë armiqësi” midis dy vendeve dhe urrejtje të madhe midis Putinit dhe Zelenskyt.
Top Channel