
Një nga pyetjet më enigmatike dhe shumë të diskutuara të njerëzimit mbetet: Çfarë ndodh kur vdesim?
Një përdorues anonim i Reddit po përpiqet të japë një përgjigje interesante — dhe të tmerrshme — duke përshkruar përvojën e tij pasi zemra e tij pushoi së rrahuri për gjashtë minuta. Ndërsa ai pretendon se ishte “teknikisht i vdekur”, rrëfimi i tij është rrënjësisht i ndryshëm nga rrëfimet e zakonshme të dritës në fund të tunelit ose paqes absolute.
Incidenti ndodhi në vitin 2003, kur 15-vjeçari në atë kohë u rrëzua papritur për shkak të problemeve serioze shëndetësore. “Humba frymën dhe rashë në rrugë. Më vonë më thanë se një grua në një makinë gati sa nuk më goditi. Ajo frenoi fort dhe thirri ndihmë”, thotë ai. Kur mbërriti ambulanca, zemra e tij tashmë kishte ndaluar.
Ekipet e shpëtimit arritën ta ringjallnin gjatë rrugës për në spital, por vuajtjet e tij nuk mbaruan këtu. Ai thotë se pas tyre pasoi një luftë e vështirë me sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor, një sërë ndërhyrjesh mjekësore – përfshirë vendosjen e një stimuluesi kardiak – dhe një barrë financiare që vazhdon të rëndojë mbi familjen e tij.
Edhe pse u rikthye në jetë dhe tani është i shëndetshëm, kjo përvojë ia ndryshoi rrënjësisht botëkuptimin. “Nuk e falënderova kurrë Zotin për asgjë pas kësaj”, shkruan ai. Arsyeja? Ajo që përjetoi gjatë gjendjes së tij “të vdekur” ishte, siç thotë ai, psikologjikisht torturuese.
Një qenie e botës tjetër dhe parajsë – një kurth
Ai përshkruan se si shpirti i tij u “shkëput” nga trupi dhe udhëtoi në një botë tjetër, të cilën e quan “parajsë” – por jo në kuptimin që shumica e njerëzve e imagjinojnë.
«Atje u përballa me atë që dukej si një shpirt fëmijëror, por që kishte një prirje sadiste për dhimbje mendore», thotë ai. «Më torturonte në një mënyrë që e bënte dhimbjen fizike të dukej e parëndësishme. Dhimbja mendore që përjetova atje është e pashoqe me asgjë në Tokë. Gjëja më e afërt është humbja e një të dashuri, trauma që është ngulitur në qenien tënde».
Dhe ai shton me një sinqeritet çarmatosës: “Ishte një vend manipulimi, jo shpengimi.”
Me largimin e tij nga kjo “parajsë”, qenia shpirtërore që e torturonte thuhet se i dha një paralajmërim të ashpër: të mos ua zbulonte kurrë ekzistencën e këtij dimensioni njerëzve të tjerë. Nëse do ta bënte këtë, ndëshkimi i tij pas vdekjes do të ishte edhe më i keq. “Më thanë se shpërblimi im do të ishte një pozicion pak më i mirë midis skllevërve. Por nëse do të flisja… atëherë do të më prisnin tmerre të reja.”
Riintegrimi në jetën e përditshme nuk ishte i lehtë. Për javë të tëra pas incidentit, i riu u përpoq t’u shpjegonte atyre përreth tij se çfarë kishte përjetuar, por shumica e tyre e hodhën poshtë përvojën e tij si një reagim halucinogjen ndaj shokut mendor dhe fizik.
“Ata thanë se isha i lënduar mendërisht dhe se e gjithë kjo ishte produkt i stresit dhe dhimbjes. Por unë e di se çfarë kam përjetuar. Dhe do të doja të mos e kisha përjetuar kurrë.”
Top Channel