
Udhëheqësi suprem i Iranit ka denoncuar një propozim të Shteteve të Bashkuara që synon të frenojë përpjekjet bërthamore të Teheranit dhe kërkoi që vendi i tij të ruajë pavarësinë, mes raporteve se Uashingtoni po ofron të përfshihet në programin bërthamor të Teheranit.
Pavarësisht disa raundeve bisedimesh midis dy palëve për të arritur një marrëveshje të re bërthamore, mbeten pika të rëndësishme ngërçi, me Iranin që këmbëngul në të drejtën e tij për pasurim bërthamor.
“Fjala e parë e SHBA-së është se Irani nuk duhet të ketë një industri bërthamore dhe duhet të mbështetet te Shtetet e Bashkuara. Përgjigja jonë ndaj absurditetit të SHBA-së është e qartë: ata nuk mund të bëjnë asgjë në këtë çështje”, tha Ajatollah Ali Khamenei.
SHBA-të i propozuan Iranit një marrëveshje bërthamore të shtunën. CNN raporton se përmes kësaj marrëveshjeje SHBA-të mund të investojnë në programin civil të energjisë bërthamore të Iranit dhe të bashkohen me një konsorcium (grup shoqërish) që do të mbikëqyrë pasurimin e uraniumit me nivel të ulët brenda Iranit për një kohë të pacaktuar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën, në dukje në kundërshtim me atë që iu propozua Iranit, se marrëveshja nuk do të lejojë pasurimin e uraniumit.
Irani dhe SHBA-të përfunduan një raund të pestë bisedimesh bërthamore me rreziqe të larta në Romë më 23 maj, mes skepticizmit në rritje në Teheran në lidhje me shanset për një marrëveshje. Pas atij raundi diskutimesh, të dyja palët “ranë dakord të takohen përsëri në të ardhmen e afërt”, tha në atë kohë një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Top Channel