U arrestua për vdekjen e një gruaje me ‘kapsulë vetëvrasëse’, aktivisti pro-eutanazisë i jep fund jetës së tij

04/06/2025 08:08

Një aktivist pro-eutanazisë, i cili u arrestua nga autoritetet zvicerane për përdorimin e parë të regjistruar të një
“kapsule vetëvrasëse” , thuhet se i ka dhënë fund jetës së tij përmes vetëvrasjes së asistuar.

Sipas Independent, Dr. Florian Willet, 47 vjeç, u arrestua vitin e kaluar në lidhje me vdekjen e një gruaje 64-vjeçare me dyshimin për “nxitje dhe bashkëfajësi për vetëvrasje” dhe “vrasje të qëllimshme”. Dy muaj më vonë, në dhjetor të vitit të kaluar, ai u lirua pasi autoritetet përjashtuan mundësinë e një vepre të dytë penale.

Drejtori i Exit International dhe krijuesi i kapsulës Sarco, Dr. Philipp Nitsche, tha se persekutimi i autoriteteve i kishte shkaktuar Dr. Willett probleme serioze psikologjike.

Ai i tha agjencisë holandeze të lajmeve Volkskrant se aktivisti i mori jetën vetes muajin e kaluar duke u vetëvrarë me asistencë në Gjermani. Përpara se të vdiste më 5 maj, Dr. Willett kishte rënë nga kati i tretë i një ndërtese, duke rezultuar në lëndime dhe shëndeti i tij mendor po monitorohej nga afër nga një ekip ekspertësh.

“Kur paraburgimi i Florianit u ndërpre papritur në fillim të dhjetorit 2024 dhe ai u lirua, ai ishte një person tjetër”, tha Dr. Nitsche. “Buzëqeshja e tij e ngrohtë dhe vetëbesimi ishin zhdukur. Në vend të tyre, ishte një burrë i traumatizuar mendërisht nga përvoja e burgosjes dhe akuza e padrejtë për mbytje.”

Një mikeshë e aktivistit, Laura, i konfirmoi gazetës holandeze se përvoja në burg e kishte ndryshuar atë. “Ky burrë miqësor dhe pozitiv ishte shndërruar në një person të shqetësuar dhe dyshues, i cili nuk u besonte më as miqve të tij më të ngushtë”, tha ajo. “Ai jetonte në botën e tij dhe u largua gjithnjë e më shumë nga mjedisi përreth.”

Dr. Willet, kreu i grupit pro-eutanazisë The Last Resort, u lirua nga autoritetet në rajonin verior zviceran të Schaffhausen pas përdorimit të parë të kapsulës Sarco – një dhomë e mbyllur që lëshon gaz me shtypjen e një butoni. Autoritetet kishin përjashtuar mundësinë e vrasjes së qëllimshme, por ende ekzistonte një “dyshim i fortë për krimin e nxitjes dhe inkurajimit për vetëvrasje ”, sipas një deklarate nga prokurorët zviceranë.

Dr. Nitschke i përshkroi akuzat për mbytje si “absurde” dhe shtoi se e kishte parë vdekjen e gruas në video, në një zonë të pyllëzuar në Schaffhausen pranë kufirit gjerman dhe siguroi se pajisja funksiononte siç ishte projektuar.

Kapsula Sarco është projektuar në mënyrë të tillë që personi që ulet në sediljen e shtrirë të shtypë një buton dhe gazi i azotit lirohet në dhomën e mbyllur. Personi bie në koma dhe vdes nga asfiksia brenda pak minutash.

Ligji zviceran lejon vetëvrasjen e asistuar, me kusht që personi t’i japë fund jetës së tij pa asnjë “veprim” nga një person tjetër dhe ata që e ndihmojnë atë të mos veprojnë për “përfitimin e tyre”, sipas një faqeje zyrtare të qeverisë. Ndërsa “ndihma aktive” në eutanazi është e paligjshme, ofrimi i mjeteve për të kryer vetëvrasje është i ligjshëm, për sa kohë që personi i përdor ato vullnetarisht.

Top Channel