
Revolta në burgun e Marassi-t është shtypur.
Dy agjentë të plagosur janë të dërguar në spital, kurse dy të tjerë janë mjekuar në vendngjarje dhe disa qeli janë shkatërruar.
Disa të burgosur janë ngjitur mbi çati dhe mbi murin rrethues të burgut, por më pas kanë zbritur vetë.
Policia, karabinierët dhe roja financiare qëndruan jashtë në sheshin përpara burgut, të gatshëm për të ndërhyrë në rast se situata përshkallëzohej.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, disa të burgosur kanë nisur protestën dhe më pas kanë hapur edhe qelitë e tjera duke shkaktuar kaos.
Kaos brenda strukturës por edhe tension jashtë, në lagjen ku ndodhet burgu, ku kanë ndërhyrë karabinierët, policia me njësitë speciale dhe shërbimet e emergjencës, ambulancat dhe zjarrfikësit. Për arsye sigurie, policia vendore e Genovës kishte mbyllur rrugët përreth burgut: via Del Faggio, Corso De Stefanis dhe piazzale Marassi. Njëqind agjentë u desh të ndërhynin për të shtypur revoltën që përfshiu rreth 200 të burgosur, sipas Corriere.
Gjatë revoltës, personeli mjekësor i burgut u vendos në disa dhoma të sigurta ku të burgosurit nuk kishin qasje, ndërsa disa mësuese të jashtme u nxorën jashtë. «Jap mësim këtu prej 18 vitesh – tregoi njëra prej tyre, Simonetta Colello – dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë».
Ky është një nga dy burgjet e Genovës (tjetri është ai për gratë në Pontedecimo), dhe njihet për mbipopullimin e tij, përtej mesatares kombëtare. Sindikatat flasin për një normë mbipopullimi prej 130%, me 700 të burgosur në një strukturë me kapacitet për 530 persona.
Revolta shpërtheu kur një grup të burgosurish u rebeluan kundër agjentëve, duke shkaktuar kaos dhe duke marrë nën kontroll një seksion të burgut. Sipas disa burimeve, ka pasur edhe një tentativë arratisjeje. Disa të burgosur janë ngjitur në çatinë e një prej ndërtesave të burgut, ku janë mbajtur nën kontroll nga policia e burgjeve. Ndër hipotezat për shkaqet e revoltës përmendet një larje hesapesh mes të burgosurve, pas një sulmi të ndodhur disa ditë më parë.
«Duket se gjashtë të burgosur kanë përdhunuar një tjetër të burgosur gjatë ditëve të fundit, i cili mbrëmjen e djeshme është dashur të transportohej në spital për ndihmë mjekësore. Policia e burgjeve, tashmë e rraskapitur fizikisht dhe moralisht, po përpiqet me shumë vështirësi të përmbajë trazirat, në pritje të përforcimeve. E gjithë kjo është një dëshmi e qartë e gjendjes së degradimit në të cilën ndodhen burgjet, që nuk mund të trajtohet me masa thjesht shtypëse, siç është futja në ligj e veprës penale të revoltës, por duke vepruar veçanërisht në parandalim përmes humanizimit të kushteve të punës së stafit dhe të vetë të burgosurve». Kështu shkruan në një deklaratë Gennarino De Fazio, sekretar i përgjithshëm i sindikatës Uilpa Polizia Penitenziaria.
«Me 16 mijë të burgosur mbi kapacitetin e disponueshëm, me vrasje, vetëvrasje, dhunë nga më të ndryshmet, përdhunime dhe shumë të tjera, nuk ka më rend në burgje, në kuptimin e zhvillimit të rregullt të aktiviteteve brenda sistemit ligjor të shtetit, ndaj dhe është i pamundur koncepti i “krimit të revoltës”.
Për më tepër, pas hyrjes në fuqi të dekretit për sigurinë, i miratuar sot përfundimisht në Senat, trazirat në burgje janë madje shtuar. Nuk duam të themi se ka një lidhje shkak-pasojë, por pa frikë mund të themi se deri tani as nuk ka pasur efekt parandalues. Duhet urgjentisht të ulet dendësia e popullsisë në burgje – vijon Uilpa – të ndalet forma moderne e “kaporalatit shtetëror” që ndodh kur policët e burgjeve detyrohen të qëndrojnë në shërbim për deri në 26 orë pa ndërprerje, siç ndodhi në burgun e Regina Coeli në Romë mes 11 dhe 12 majit, të plotësohen urgjentisht mungesat në staf – ku mungojnë 18 mijë agjentë – dhe të sigurohet që ato pak punësime të reja, vetëm 133 në dy vite e gjysmë përballë mbi 6 mijë të burgosur më shumë, të mos përfundojnë në zyrat ministriale. Duhet garantuar gjithashtu asistenca mjekësore dhe reformuar tërësisht sistemi».
Top Channel