
Pas humbjes poshtërues në finalen e Ligës së Kampionëve nga PSG-ja dhe largimit të trajnerit Simone Inzaghi, Interi përballet tani me një tjetër krizë shumë më të thellë.
Një raport konfidencial zbulon dyshime serioze për parregullsi financiare dhe ndërhyrje institucionale që mund të tronditin themelet e klubit.
Dokumenti, i hartuar nga një bankier në Londër – këshilltar i një grupi të interesuar për të blerë klubin – dhe i publikuar nga Affaritaliani.it e më pas transmetuar nga RAI, hedh dyshime të rënda mbi mënyrën si Interi ka menaxhuar financat, sidomos në periudhën 2016–2019 gjatë presidencës së grupit kinez Suning.
Sponsorë “fantazmë” dhe të ardhura të dyshimta
Sipas raportit, Interi përfitoi rreth 300 milionë euro nga sponsorë rajonalë, shumica prej tyre aziatikë, që përbënin 27% të të ardhurave të klubit gjatë tri viteve. Këto kontrata – shumë prej të cilave të përkohshme dhe të pamundura për t’u gjurmuar – shihen si mjete për të përmirësuar artificialisht bilancin financiar dhe për të përmbushur kriteret e Fair Play Financiar të UEFA-s.
Bilanc i rrezikshëm dhe ndërhyrje nga FIGC?
Raporti thekson se pa këto të ardhura “jo tradicionale”, klubi duhej të kishte rënë në likuidim ose të përjashtohej nga Serie A, duke përmendur një bilanc të konsideruar të paqëndrueshëm. Dyshohet gjithashtu për presion institucional mbi COVISOC (organi financiar i futbollit italian) për të mos zbatuar sanksione ndaj Interit, ndryshe nga klubet e tjera të ndëshkuara për shkelje më të vogla.
Strukturë e errët pronësie dhe lidhje politike
Raporti ngre shqetësime për mungesën e transparencës në zinxhirin e pronësisë, përfshirë kompani të regjistruara në juridiksione si Ishujt Kajman. Gjithashtu përmenden lidhje të mundshme me grupet ultras, ndërmjetësime të dyshimta nga drejtues të lartë si Giuseppe Marotta, dhe një qasje e qartë politike për të mbrojtur interesat e klubit në arenën publike.
Një krizë që tejkalon sportin
Sipas raportit, çështja shkon përtej financave. Ajo përshkruan një sistem marrëveshjesh të fshehta, me përfshirje të aktorëve financiarë, politikë dhe institucionalë që, nëse konfirmohen, përfaqësojnë skandalin më të madh në futbollin italian që nga Calciopoli i vitit 2006.
Ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, ka kërkuar “transparencë totale” dhe një hetim të thelluar nga COVISOC. Ndërkohë, presidenti Steven Zhang rezulton në hije, i pazhvillueshëm fizikisht për të drejtuar klubin, duke ngritur pikëpyetje të reja për qeverisjen aktuale të Interit.
Top Channel