Negociatat Ukrainë-Rusi, Zelensky: Propozuam armëpushim deri sa të takohen liderët

04/06/2025 16:22

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se delegacioni i tij ka propozuar një armëpushim deri në një takim të nivelit më të lartë me liderët e vendeve.

Siç deklaroi ai në një bisedë me gazetarët të mërkurën, pala ukrainase ia ka paraqitur tashmë propozimin Rusisë, megjithatë theksoi se delegacioni rus nuk është i përgatitur të bjerë dakord për një gjë të tillë, pasi beson se vendimi përkatës i përket ekskluzivisht nivelit të udhëheqësve.

“Ne u propozojmë rusëve që të vazhdojmë me një armëpushim deri në takimin e udhëheqësve. Dhe besoj se do të kemi mbështetjen e partnerëve tanë”, tha Zelensky.

Në fakt, ai theksoi gatishmërinë e tij për t’u takuar menjëherë me presidentin rus, Vladimir Putin, duke vënë në dukje se Ukraina pranon që takimi të mbahet në një vend të zgjedhur nga Moska, qoftë në Stamboll, Vatikan ose Zvicër.

“Ne propozojmë që takimi të mbahet në çdo ditë që ata zgjedhin, duke filluar nga e hëna”, tha ai.

Presidenti ukrainas shprehu besim se iniciativa e tij mund të mbështetet nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ndërsa nuk e fshehu pritjen e tij për mbështetje të ngjashme nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Siç tha ai, Erdogan tashmë ka propozuar një takim katërpalësh me pjesëmarrjen e vetë Putinit, Trumpit dhe Zelenskyt.

Top Channel