Lufta në Ukrainë/ Zbardhet biseda e Papës me Putinin, Leoni XIV: Dialogu, rruga për zgjidhjen e konfliktit

04/06/2025 22:58

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me Papa Leoni XIV.

Sipas mediave të huaja biseda u zhvillua kryesisht te situata në Ukrainë.

Sipas njoftimit zyrtar të Kremlinit, Putin e përgëzoi Papën për zgjedhjen dhe i uroi suksese në detyrën e tij, duke e cilësuar “një mision fisnik”.

Kreu i Kremlinit vlerësoi gjithashtu kontributin e Papa Françeskut në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Vatikanit, duke shprehur shpresën se këto lidhje do të vijojnë të forcohen edhe me Leoni XIV.

Gjatë bisedës, të dy liderët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushat kulturore, humanitare, si dhe për mbrojtjen e komuniteteve dhe faltoreve të krishtera në zonat e konfliktit.

Në qendër të diskutimit ishte lufta në Ukrainë ndërsa Putin ritheksoi interesin e tij për arritjen e paqes përmes mjeteve politike dhe diplomatike, duke theksuar rëndësinë e adresimit të “shkaqeve rrënjësore të konfliktit”.

Nga ana tjetër, sipas Vatikanit, Papa i kërkoi Rusisë të ndërmarrë hapa konkrete për të mbështetur paqen në konfliktin me Ukrainën.

Ai theksoi rëndësinë e dialogut si rrugë për zgjidhjen e konfliktit.

Top Channel