
Për të përballuar krizën e strehimit qeveria greke do të rikthejë “recetën” e suksesshme të dekadës së ’60 , shfrytëzimin e pronave publike për të ndërtuar banesa sociale moderne për mijëra familje.
Çelësi i suksesit është tërheqja e investitorëve privatë, të cilëve do t’u jepet mundësia të ndërtojnë me përfitim, kthim të drejtpërdrejt të një pjese të pronës së re.
Partneriteti shtet-privat do të menaxhohet me marrëveshje të ndara, ku privatët do të marrin pjesën e tyre të pronës për ta shitur në treg, ndërsa pjesa e banesave sociale mbetet nën kontrollin e shtetit.Sipas projektligjit të përgatitur nga Kryeministria dhe Ministria e Kohezionit Social dhe Familjes, pa ngarkesë direkte për buxhetin e shtetit, pronat shtetërore do të jepen për ndërtim ose rinovim, me kushtin që të paktën 30% e ndërtimeve të reja të jenë për banesë sociale të cilat do të jepen me qira të përballueshme që nuk do të tejkalojë 30% të pagës mesatare dhe me të drejtë blerjeje pas 10 vitesh .
Ky program ka synim ndihmën sidomos për familjet me fëmijë, dhe një platformë dixhitale do të mbikëqyrë aplikimet, zbatimin e tij dhe menaxhimin.Banesat sociale nuk do të jenë në periferi apo të izoluar, por do të integrohen në ndërtesa moderne me përdorime të përziera.
Projektet e para emblematike përfshijnë prona në Athinë, Selanik, qytete të mëdha dhe ishuj të Greqisë prej mijëra metrash katrorë. Fondi i madh prej 36.000 pronash po menaxhohet me synimin që deri në fund të vitit të vlerësohen dhe kategorizohen 10.000-12.000 prona, prej të cilave 6.500 do të vlerësohen financiarisht dhe 1.000 do të jenë gati për zhvillim.Objektivi është që deri në fund të vitit 2026, investitorët të kenë nisur punimet për projektet e para.
Modeli do të aplikohet edhe në universitete, të cilat do të ofrojnë pronat e tyre të papërdorura, për të përballuar krizën e strehimit për studentët. Sipas Eurostat, Greqia ka përqindjen më të lartë në BE të familjeve që shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave për strehim. 95% e të rinjve nën 30 vjeç jetojnë ende me prindërit.
Çmimet e qirave janë rritur deri në 40% në pesë vitet e fundit si pasojë e rritjes së platformave si Airbnb, mungesa e ndërtimit të ri pas krizës ekonomike, dhe inaktiviteti i pronës shtetërore. Greqia mbetet i vetmi vend në Europën Perëndimore pa një mekanizëm të qëndrueshëm prodhimi të strehimit social – diçka që synon ta zgjidhë ligji i ri.
Top Channel